SPANJË – Maskat antiCOVID-19 të detyrueshme nga mosha gjashtë vjeç

MADRID, 20 maj /ATSH-AFP/ – Mbajtja e maskave do të jetë e detyrueshme që prej ditës së nesërme në Spanjë duke nisur nga mosha gjashtë vjeç, në rrugë dhe në vendet publike si dyqanet, kur nuk është e mundur mbajta e distancës, sipas një dekreti të publikuar sot.

“Përdorimi i maskës do të jetë i detyrueshëm në mjediset publike, në hapësirat e hapura dhe në çdo vend të mbyllur të përdorimit publik (…) kur nuk është e mundur ruajtja e një distance sigurie prej dy metrash”, thekson teksti.

“Kjo dispozitë përfshin edhe personat nga mosha gjashtë vjeç e lart”, shton dekreti.

Personat që kanë vështirësi respiratore do të përjashtohen.

Spanja, një nga vendet më të goditura nga pandemia me rreth 28 000 të vdekur, ka filluar lehtësimin gradual të masave, prej të cilit janë përjashtuar rajoni i Madridit dhe Barcelona./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.