Rikualifikimi urban i sheshit në Borsh/ Kompensim në vlerë të plotë për shpronësimet

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin e pronarëve që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikimi Urban sheshi Borsh, Himarë”.

Në vendim thuhet se “në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr. 8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikualifikim urban Sheshi Borsh, Himarë”. Shpronësimi të bëhet në favor të Bashkisë Himarë.

Ndërkaq, pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 954 880 lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 954 880 lekësh, do të përballohet nga buxheti i vitit 2020, i miratuar për ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin buxhetor “Planifikimi urban”.

Vendimi sqaron se shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë, do të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Shpronësimi do të nisë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare”. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Himarë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë, do të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të shtetit, Bashkia Himarë.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë,do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të shtetit, Bashkia Himarë, për pasurinë e shpronësuar.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Himarë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Himarë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.