Reforma Zgjedhore, detyrim i përbashkët/ Koha nuk pret, duhet të materializohet në tryezë mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR

TIRANË, 20 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ Kryeministri Rama, u shpreh sot në një intervistë televizive se çështja e teatrit dhe Reforma Zgjedhore nuk kanë lidhje mes tyre.

“Teatri Kombëtar nuk është rekomandim i OSBE-ODIHR, as për t’u shembur, as për t’u ndërtuar dhe është vendimmarrja e autoriteteve që kanë përgjegjësi për të marrë këto vendime. Çdo vendimmarrje është patjetër e debatueshme, e kundërshtueshme, është patjetër e pëlqyeshme për një pjesë dhe e papëlqyeshme për një pjesë tjetër. Por në asnjë mënyrë nuk është një çështje që mund t’i kalojë në kompetencë opozitës. Nuk shoh lidhje mes të dyjave”, – tha Rama duke iu referuar ndërlidhjes mes Reformës Zgjedhore dhe çështjes së teatrit në pyetjen e gazetares.

“Po, ka një lidhje të madhe mes të dyjave sa i takon opozitës, pasi opozita nuk ka treguar vullnet për të kryer Reformën Zgjedhore, pasi u bënë disa vite që presim të thotë çfarë ka për të thënë e të mbarojmë këtë punë dhe tek trualli ku është spostuar sot, thjesht ka parë një shesh për të bërë një përshesh të radhës”, – tha Rama.

“Një përshesh të radhës, pasi u ezaurua përsheshi i “Astirit”, pasi përpara “Astirit” u ezaurua përsheshi i “Pazarit të Ri”, apo ai tek “Parku i lojërave”. Por, qeverinë dhe bashkinë nuk e kushtëzon dot me forcën e muskujve apo shantazhe”, – u shpreh Rama.

“Opozita shfaqet papritur, sikur trashëgon amanetet e Shekspirit dhe Molierit, duke demonstruar më shumë se njëherë një kapacitet muskuloz të atillë që përkthehet në atë pamje të njerëzve që mblidhen aty dhe zihen mes tyre dhe për këtë, opozita s’mund të pretendojë se e kanë fajin të tjerët”, – tha Rama.

“Kemi qenë së bashku me disa nga përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar dhe ndamë shqetësimin për rinisjen e punës për Reformën Zgjedhore, pasi Reforma Zgjedhore është një detyrim i përbashkët ndaj publikut shqiptar. Por, është një detyrim për të cilin BE ka vendosur një theks të veçantë. Koha nuk pret, pasi reforma zgjedhore duhet të materializohet në tyrezën e përbashkët mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR, siç edhe kërkon specifikisht porosia e BE, një nismë e deputetëve të Bundestagut gjerman. Duhet të hyjë në procedurën parlamentare, duhet të miratohet nga kuvendi dhe të vijojë për implementim”, – u shpreh Rama.

“Kemi humbur shumë kohë duke pritur miqtë që papritur dhe pa kujtuar janë mbërthyer për pasionin për teatrin dhe faktikisht jemi në hapat e fundit nëse duam që të arrijmë që këtë reformë ta bëjmë funksionale në zgjedhjet e ardhshme. Ky është një shqetësim i shprehur dhe publikisht, por dhe e kemi ndarë dhe bashkarisht dhe kjo ishte tema e bisedës”,- vuri në dukje Rama në lidhje me bisedimet e fundit me ndërkombëtarët.

Ai shtoi se nuk e ka dëgjuar deklaratën e ambasadores amerikane për një sistem danez elektoral në Shqipëri.

“Nuk di të ketë një sugjerim të tillë, sepse nuk është ambasadorja amerikane e përfshirë në një temë të tillë dhe nga ana tjetër kjo nuk është temë e Reformës Zgjedhore. Përsa më takon mua dhe na takon ne, tema e reformës zgjeshore është e përcaktuar nga Këshilli Europian, BE. Një reformë zgjedhore e votuar në parlament mbi bazën e rekomandimeve të OSBE- ODIHR”, – u shpreh Rama.

Sigurisht, tha ai, “që diskutimet për një ndryshim të sistemit askush nuk i ka penguar dhe nuk i pengon”. “Për sistemin mund të diskutojmë, por askush s’ka detyrimin për të rënë dakord me pahir”, – tha ai.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.