Kur Berisha dhe Basha donin të bënin “Plaza Shopping” tek Teatri Kombëtar

TIRANË, 20 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi pasditen e së mërkurës se ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari aktual i Partisë Demokratike, Lulzimi Basha kanë dashur ta kthenin vendin ku ndodhej Teatri Kombëtar në qendër tregtare.

Në një nga mediet e vendit, Rama theksoi se Teatri Kombëtar do të ndërtohet aty, sepse është trualli më i mirë për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

“Sepse Sali Berisha dhe Lulzim Basha, ku ishin në qeveri, donin ta shembnin dhe donin ta bënin tek Piramida. Atje ku është trualli i teatrit donin të bënin një ‘plaza shopping’. Këtë nuk e them bazuar në ndonjë fantazi, por e them mbi faktin se u investuan 6 milionë euro tek Piramida, në mënyrën më absurde për të bërë atje Teatrin Kombëtar. Kjo nuk do mund të ndodhte kurrë pasi nuk ka asnjë kusht ajo hapësirë për të ndërtuar teatër. Ajo që lanë pas ishte se morën me vete të gjitha pllakat e mermerit të Piramidës dhe nuk e di se ku i çuan, mbase për vila, mbase për banjo, mbase për pllaka përkujtimore por i morën”, u shpreh Rama.

Ai tha ndër të tjera se investitori shqiptar bashkë me një grup investitorësh gjermanë ia kanë prezantuar këtë projekt.

“Mua më ka ardhur në zyrë, investitori shqiptar bashkë me një grup investitorësh gjermanë me projektin përpara aty tek ai shesh dhe më kanë thënë ne duam të ndërtojmë këtë, se teatri do të shkojë atje. Kjo ka bekimin e Kryeministrit, por sigurisht kryetari i bashkisë duhet të jetë dakord. U thashë, këtë ta harroni se këtu do të ndërtohet teatri i ri”, u shpreh ai.  z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.