Garancia Sovrane për pagat e punonjësve/ Kanë përfituar deri tani 260 biznese me vlerën totale 29 milionë euro

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko u shpreh sot se “deri tani nga fondi i parë i garancisë në kushtet e pandemisë kanë përfituar 260 biznese të vogla, me një vlerë totale 29 milionë euro, ndërsa janë edhe 320 aplikime që po shqyrtohen”.

“Kjo do të thotë se 30% e fondit të parë të garancisë nga total prej 100 milionë euro është përdorur, ndërsa garancia e dytë sapo është firmosur dhe do të shikojmë se si do të bëhet e efektive në dobi të mbështetjes së bizneseve që janë në vështirësi financiare për shkak të COVID-19, për pagesat e punonjësve”, – tha Sejko.

Gjatë një interviste televizive Sejko tha se, “në 99% të rasteve dhe aplikimeve, janë marrë parasysh shtyrja e pagesës së kësteve të kredisë për individët dhe qytetarët në vështirësi financiare deri për një periudhë tremujore që është deri më 31 maj”.

“2.1 miliardë euro është totali i kredive të shtyra apo të ristrukturuara deri në 31 maj 2020″, tha ai. Ndërsa ne, vuri në dukje Sejko, në bashkëpunim me sektorin bankar jemi duke parashikuar mundësinë e një shtyrjeje tjetër në kohë apo ristrukturim për bizneset më të goditura dhe në fund të këtij muaji do të bëjmë publike masën e dytë të lehtësive për bizneset nga ana e bankave tregtare”, – tha Sejko.

Lidhur me treguesit e borxhit publik, Guvernatori shpjegoi se, “nuk kemi një nivel të caktuar borxhi që do të quhej nivel i rrezikshëm ndonëse në shtete të zhvilluara kemi një nivel borxhi mbi 100% në raport me PBB. Niveli ynë i borxhit ishte 71% dhe ne e ulëm në nivelin e 65% pasi miratuam edhe një ligj fiskal për të ulur borxhin e mbështetur kjo nga politika monetare konsoliduese”.

“Si pasojë e pandemisë kemi rritje të nivelit të borxhit pothuajse në të gjitha shtetet që shkon në 20 deri 30%, por nuk mund të them se sa do të rritet tek ne, ndonëse jemi në monitorim të vazhdueshëm të situatës. Sa më i ulët të jetë niveli i borxhit, aq më mirë do të ishte për ekonominë shqiptare”, tha ai.

Sejko tha se Banka e Shqipërisë parashikon rritje të ekonomisë në vitin 2021, ndërsa do të jetë në tregues në rënie gjatë gjysmës së dytë të vitit 2020, për shkak të pandemisë. Me ringritjen ekonomike gjatë 2021 do të fillojë edhe ulja e borxhit.

Ai konfirmoi se sistemi bankar është likuid dhe i mirëkapitalizuar dhe hedhja në treg e dy kartëmonedhave të reja ka qenë e parashikuar nga BSH-ja, kohë më parë para COVID-19 dhe nuk ka të bëjë me injektimin e parasë në treg.

BSH konfirmoi Sejko, ka nën kontroll inflacionin dhe ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në treg. Ndërsa raporti i kredi/depozitave është 50 me 50, çka tregon siç tha ai, për tregues më se të qëndrueshëm financiarë të tregut bankar. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.