Zbrazja e godinës së Teatrit/ Policia e Shtetit është sjellë si Polici europiane

TIRANË, 19 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ndërhyrjen profesionale të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve te Teatri Kombëtar, ndërsa theksoi se “nuk ka pasur dhunë”.

Në një intervistë televizive, Rama tha se “Policia nuk ka pasur absolutisht asnjë pajisje kur ka hyrë për të nxjerrë njerëzit, sepse është përgatitur për ta bërë ndërhyrjen në mënyrën më të butë të mundshme”.

“Opozita thotë shumë gjëra. Sigurisht që Policia e Shtetit ka përgjegjësinë dhe ka detyrën të zgjedhë metodën, kohën dhe të gjithë mënyrën se si operon, por logjika më e thjeshtë ta do që në 4:30 të mëngjesit ka më pak mundësi për t’u përplasur me njerëz të investuar për të krijuar përplasje, që aktrojnë si të dhunuar, të goditur e të shkelur në të drejtat e tyre”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “nuk e di se ku justifikohet uzurpimi nga një pakicë njerëzish në mënyrë antidemokratike i një godine publike për të bërë rezistencë ndaj ‘regjimit'”. “Pikërisht pse është sistem demokratik dhe nuk ka fytyrën e një regjimi por e tepron madje në durimin në kërkim të gjuhës së arsyes, për 2.5 vjet u bë ajo që nuk ndodh. Në cilin vend të botës tolerohet një gjë e tillë. Policia bëri veprimin që i takonte. Është shumë e  shëmtuar dhe fyese për të gjithë ata njerëz nën uniformën e Policisë dhe tejet e padrejtë që Policia të vendoset nën goditje”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “Policia e Shtetit shqiptar edhe në këtë rast është sjellë si polici  europiane”. “Nuk kam parë asnjë skemë, pamje apo provë për të kundërtën”, tha Rama.

“Në një vend ku protestuesit vriteshin me plumba luftarak, kryeministria ishte një kështjellë e mbushur me kallashnikov që qëllonin me plumba luftarakë, janë plagosur me plumba luftarak gazetarët. Policia ndërmori një operacion për të zbrazur një godinë të zaptuar në mënyrë të paligjshme. Policia e Shtetit është provokuar, sulmuar fizikisht dhe gjendur në pozitë shumë të vështirë aty, ku ishte në fakt një grupim politikisht i vendosur dhe barrikaduar”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “prania e Policisë nuk është dhunë dhe bilanci i gjithë kësaj dhune janë 2 policë në spital, pasi nuk di të ketë pasur ndonjë protestues”.

“Sa jam unë këtu në këtë zyrë, nuk do të gjeni nëse ka një polic në tejkalim dhe e tepron diku”, tha Rama. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.