Shtyrje afati për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Në kushtet kur aktiviteti normal në vend u paralizua për shkak të COVID-19, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ka kërkuar shtyrjen e afatit për rivlerësimin të pasurive të paluajtshme.

Deputeti socialist, Anastas Angjeli i kërkoi ministres së Financave Anila Denaj e pranishme në komision shtyrjen deri në fund të këtij viti të afatit për rivlerësimin e pasurisë.

“Ne kemi miratuar një ligj për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, që do të mbyllej në fund të muajit shtator, por pandemia ia mori tre muaj, kështu i sugjeroj ministrisë të sjellë një akt normativ për ta shtyrë këtë proces deri në fund të vitit”, u shpreh Angjeli.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj tha se procesi do të shtyhet dhe se për këtë po përgatitet akti normativ.

“Ne jemi në përfundim të hartimit të draftit i cili parashikon shtyrjen e këtij procesi”, u shpreh Denaj.

Shqipëria ka rreth 100 mijë pasuri dhe një numër i madh qytetarësh nuk kanë mundur të bëjnë rivlerësimin e banesave sipas vlerës së tregut. Nga ky proces pritet të rivlerësohen gati 50 mijë pasuri të paluajtshme.

Me rihapjen e procesit për vlerësimin e pasurive në muajin shkurt, qytetarët mund të rivlerësojnë pasuritë e paluajtshme, sipas vlerës së tregut, duke paguar një tatim më të ulët prej vetëm 3%, nga 15% që ishte. Për biznesin ky tatim është 5%.

Komisioni miratoi Aktin Normativ për shtyrjen e fazës së parë të përgatitjes së programit buxhetor afatmesëm për shkak të pandemisë COVID-19.

“Me situatën e krijuar prej COVID-19, por mbi të gjitha me pamundshmërinë që do të kishim për të përcaktuar në mënyrë më të saktë të gjitha tavanet buxhetore për çdo sektor, pasi janë shumë të rëndësishme për tre vitet pasardhëse dhe janë një kuadër i përgjithshëm makro. gjatë periudhës që ky proces do të zhvillohet i parashikuar për të përfunduar gjatë muajit korrik do të nënkuptojë një analizë më të plotë të gjithë kuadrit makroekonomik fiskal, përfshirë edhe ndryshime të mundshme që do të vijnë për miratim në aktin normativ të vitit 2020”, tha Denaj. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.