Disa mënyra sesi çdo qytetar mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të virusit

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale thotë se çdo qytetar mund të ndihmojë në mbajtjen nën kontroll të virusit, ndërsa ka sugjeruar disa mënyra të efektshme për parandalimin e prekjes nga sëmundja.

“Parandaloni përhapjen e COVID-19. Në kushtet e lehtësimit të masave, zgjerimit të fashave orare të lëvizjes, heqjen e të gjitha autorizimeve të lëvizjes, ekspozimi ndaj infeksionit rritet shumë dhe përgjegjësia e çdo qytetari për të ruajtur veten e të tjerët gjithashtu. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të respektojnë distancimin fizik, të ruajnë higjienën personale. Institucionet dhe bizneset duhet të zbatojnë protokollet strikte për parandalimin COVID-19”, shprehet Ministria e Shëndetësisë.

Më tej, ajo sugjeron që të qëndroni sa më shumë të mundeni në shtëpi. “Qëndroni në shtëpi sa më shumë të mundeni. Nëse keni mundësi punoni nga shtëpia. Kufizoni kontaktet me personat e tjerë. Kur dilni ruani distancën prej të paktën 1,5 metra distance. Kufizoni kontaktet me personat e tjerë. Nëse jeni të sëmurë, qëndroni të izoluar”, informon MSHMS. z.tosku/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.