Agjencia Telegrafike Shqiptare

Deklarata e Ramës/ Reagojnë Basha e Kryemadhi

TIRANË, 17 maj /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka reaguar sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama në një intervistë televizive, në lidhje me vijën e kuqe të opozitës.

I pyetur lidhur me deklarimin e opozitës se teatri ishte vija e kuqe, Rama tha se nuk vendos dot një parti politike, apo të gjitha partitë bashkë, për kompetencat ekskluzive që i jep Kushtetuta qeverisë vendore, qendrore, apo edhe vetë parlamentit.

Në reagimin e tij Basha tha “Rama nuk e sheh më vizën e korrupsionit dhe as vizën e dhunës. Ai është peng i krimit, dhe sillet si kriminel me njerëzit. Është peng i oligarkëve dhe punon vetëm për ta. Ai vjedh përditë, shkatërron dhe varfëron shqiptarët”.

“Ai shfrytëzoi edhe pandeminë për të vjedhur, për të shkatërruar teatrin, për të grabitur pasuritë publike dhe i la njerëzit pa asnjë ndihmë. Prandaj Shqipëria do shpëtojë prej këtij hajduti që bën vetëm keq: gjithë njerëzit e ndershëm ia kanë hequr vizën!”, theksoi Basha.

Ndaj deklaratave të Ramës reagoi edhe kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi e cila citon Gandin: “Mosbindja civile kthehet në një detyrë të shenjtë kur shteti bëhet i paligjshëm ose i korruptuar. Dhe një qytetar që pajtohet me një shtet të tillë, bëhet pjesë e korrupsionit dhe paligjshmërisë së tij”, citoi Kryemadhi, Mahatma Gandhi-n. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version