Rikthimi i maturantëve në shkollë, Shahini: UNICEF Albania, partneri ynë më i mirë në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Ditën e sotme, maturantët janë rikthyer nëpër shkolla nën rregulla shumë strikte të distancimit social dhe higjienës, teksa tek çdo shkollë e rihapur janë marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar mbarëvajtjen e procesit mësimor deri më datë 5 qershor.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini e ka cilësuar “UNICEF Albania” si një prej partnerëve kryesorë të MASR në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve.
“UNICEF Albania ka qenë dhe mbetet partneri ynë më i mirë në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve. Kësaj radhe mbështetën shkollat me përgatitjet për kthimin e maturantëve në shkollë, me një pjesë të pajisjeve mbrojtëse kundër COVID-19. Thanks to your amazing support @robertodebernardi dhe për angazhimin tënd të vazhdueshëm @mirlindabushati”, Shahini.

Mes datave 18 maj – 5 qershor, maturantët do të zhvillojnë lëndët që janë provime ku përsëriten temat që u përkasin provimeve kombëtare sipas programit orientues, pa përfshirë pjesën e programit për temat që janë marrë gjatë mësimit në kushte të shtëpisë.

Nxënësit dhe stafi mësimor do të ndjekin protokolle strikte për hyrje-daljet në ambientet e shkollës, lëvizjet në mjediset e brendshme të shkollës dhe respektimin e distancimin social dhe fizik mes nxënësve dhe mësuesve gjatë zhvillimit të mësimit. z.tosku/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.