Protokolli i sigurisë/ Monitorim bareve dhe restoranteve në Pogradec

TIRANË, 18 maj /ATSH/- Njësitë vendore të kontrollit shëndetësor Pogradec në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatim Taksave dhe Inspektoratin e Mjedisit, bashkia Pogradec kanë vijuar sot me kontrollet e detajuara në bar-restorantet e qytetit për të parë zbatimin e protokollit të masave kundër COVID-19.
Bashkia Pogradec, njoftoi se nga inspektimet e kryera subjektet po respektojnë masat, ndërsa procesi i monitorimit do të jetë në vazhdimësi.
Protokolli i masave parashikon kushtet higjieno-sanitare, pajisjen me maska dhe doreza, dezinfektimin e ambienteve.
Sot në të gjithë vendin janë rihapur baret dhe restorantet, pas një periudhe mbi dymujore që ishin mbyllur si masë për mbrojtjen nga përhapja e COVID-19.
Pogradeci vazhdon të qëndrojë një zonë e gjelbër,  por autoritetet bëjnë apel për kujdes ndaj COVID-19.
“Me lehtësimin e masave shtrënguese, duhet të jemi më të përgjegjshëm për sjelljet individuale, që të mos hedhim poshtë sakrificën e deritanishme”, thuhet në njoftimin e bashkisë së Pogradecit. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.