Protesta për godinën e vjetër të teatrit, me pjesëmarrjen e opozitës dhe artistëve

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Protesta e thirrur nga “Aleanca për Teatrit” u zhvillua pasditen e sotme, ashtu si ishte paralajmëruar një ditë më parë, duke nisur nga ora 16:30.

Protestuesit u mblodhën në mjediset pranë Ministrisë së Brendshme dhe përgjatë bulevardit me pjesëmarrjen edhe të opozitës jo parlamentare, kreut të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Ndërsa një prej aktivistëve të teatrit, regjisori Edmond Budina mbante fjalën para protestuesve të mbledhur kundër prishjes së godinës së vjetër të teatrit, pati momente tensioni.

Disa qytetarë i kanë kërkuar në kor kryedemokratit Lulzim Basha që të largohet duke e konsideruar si tradhtar të kauzës. Fill pas këtyre thirrjeve, drejt qytetarëve janë vërsulur një sërë simpatizantësh të Partisë Demokratike.

Të tjera incidente ndodhën tek Ministria e Brendshme, aty dhe ku po protestohet. Disa protestues u qëlluan me njëri-tjetrit dhe në këtë moment, disa metra larg tyre, ndodhej edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha ishte duke qeshur në momentin e sherrit, ndërkohë që pas shpinës së tij, protestuesit nuk i kursyen grushtat.

Sherri ka ndodhur mes disa pjesëmarrësve dhe militantëve që PD-së që e shoqëronin Bashën

Është dashur thirrja e regjisorit Robert Budina, i cili iu ka bërë thirrje protestuesve të shmangin incidentet dhe të qëndrojnë sa më të bashkuar. “Mos provokoni“,- tha Budina.

Ndërsa në fjalën e tij para protestuesve, regjisori Budina tha se duhet të hetohet shembja e teatrit, e ndërsa deklaroi se do të flasin në podium vetëm persona që kanë pasur një lidhje të ngushte me atë godinë.

“Simbolika e Teatrit nuk ishte vetëm godina, po qëndrimi në këmbë i demokracisë, se u shemb me ligje antikushtetuese. Duke qenë se mungoi drejtësia, ne u detyruam ta mbronin fizikisht godinën dhe ne u gjendëm të vetëm pa asnjë mënyrë se si ta zgjidhnim”, tha ai.

Budina tha se “teatri është histori shpirtrash njerëzor. Të gjithë qytetarët të bashkohen në këtë kauzë njerëzore. Presidenti të bëjë shpërndarjen e parlamentit”.

Aktori Neritan Liçaj tha se “thërras në kauzë të gjithë shqiptarët, gjithçka që ka mbetur e lirë, gjithçka që ka mbetur shqiptare, që të fluturojmë lart. U përpoqën të na vrasin shpresën, por shpresa nuk vritet. Kjo dritë shprese mua më ka mbajtur dy vite e ca atje”.

Protesta u mbyll rreth orës 19:00 dhe regjisori Edmond Budina bëri të ditur se protesta e ardhshme do të mbahet të mërkurën në orën 17:30.

 

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.