Meta me ambasadorët e 4 vendeve të grupit të Vishegradit: Forcim i bashkëpunimit

TIRANË, 18 maj/ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një takim pune me ambasadorët e 4 vendeve të grupit të Vishegradit, të akredituar në Tiranë.

Presidenti Meta dhe ambasadorët e Çekisë, Polonisë, Hungarisë dhe Sllovakisë vlerësuan marrëdhëniet politike dhe bashkëpunimin miqësor dypalësh, si dhe shkëmbyen mendime rreth forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit edhe ndërmjet rajoneve V4-Ballkani Perëndimor.

Gjatë takimit u ndanë informacione për situatën e pandemisë COVID-19 në secilin vend. Presidenti i Republikës dhe Ambasadorët theksuan nevojën për një hapje graduale dhe të kujdesshme e kufijve, si dhe lehtësimin e masave shtrënguese që do t’i jepnin frymëmarrje dhe impuls ekonomisë në përgjithësi, por edhe vijimit të trendit pozitiv të viteve të fundit të fluksit të turistëve nga këto vende drejt Shqipërisë.

Presidenti Meta falenderoi për asistencën që këto vende kanë premtuar dhe dhënë vendit tonë për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu përkrahjen dhe vendosmërinë e vendeve të Vishegradit në drejtim të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe të rajonit tonë.

Duke shprehur mirënjohjen për vendimin e Këshillit Europian të 26 marsit për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe rikonfirmimin e perspektivës evropiane për vendet tona nga Samiti i fundit i Zagrebit, Presidenti Meta theksoi se, Shqipëria duhet të mbetet e fokusuar në plotësimin në kohë të të gjithë kushteve që Këshilli ka përcaktuar për vendin tonë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Presidenti Meta i njohu Ambasadorët edhe me zhvillimet më të fundit politike në vend, duke shprehur shqetësimin se provokimet dhe acarimi i klimës politike nuk i shërbejnë avancimit të perspektivës evropiane të vendit.

Ndërkaq, Meta u shpreh se mbështet fuqimisht “një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar.
Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën”.

“Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu.
Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te Demokracia dhe Triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë”, u shpreh Meta.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.