VIDEO/ Vlora jo vetëm det, një paketë e plotë turistike për t’u zbuluar


TIRANË, 17 maj/ATSH-Maela Marini/ Jo vetëm det dhe plazhe magjepsëse… Vlora ofron një paketë të plotë turistike nga turizmi historik, te ai i aventurës me dhjetëra destinacione ende për t’u zbuluar.

“Përshkoni” historinë me një vizitë në kalanë e Kaninës apo në qendrën historike tërësisht të rehabilituar, zgjidhni Zvërnecin ku kryqëzohen zërat e qiellit dhe tokës dhe zbuloni Vlorën në gjithçka që ajo ofron.

Mund të zgjedhësh të ecësh në rrugën e dikurshme të kafeneve, të zejtarëve, artizanëve, qëndistares Marigo, firmëtarëve të pavarësisë. Qendra historike e Vlorës është një diamant në zemër të qytetit që zbulon historinë.

Ndërsa Kanina, aq sa të ofron historinë me kalanë e saj, të ndjell po ashtu me peizazhin, natyrën, gastronominë, por mbi të gjitha duke të ofruar shumë zemër.

Mund të vizitoni po ashtu Manastirin e Hyjëlindëses në Zvërnec, aty ku mrekullisht takohen cicërimat e zogjve dhe psherëtima e dallgëve, duke krijuar simfoninë unike atë të tingujve mes tokës dhe detit.

Me një vijë bregdetare që thyhet bukur mes shkëmbinjsh, Vlora ofron po ashtu edhe “zemrën” e saj, me mikpritje, një gastronomi të pasur, produkte artizanale të punuara me finesë dhe natyrë që zbret butësisht nga mali drejt detit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.