Protestë për prishjen e Teatrit Kombëtar/ Budina: Teatri jeton, i kërkojmë qytetarëve të thyejnë karantinën

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Aktivistë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar po vazhdojnë të protestojnë për prishjen e Teatrit.

Ndërkohë që vazhdon puna për prishjen e Teatrit Kombëtar, protestuesit me pankarta në duar bëjnë thirrje për mosbindje civile.

Regjisori Edmond Budina tha se “teatri jeton”. “Ju kërkoj ndjesë që teatri jonë u shemb, por teatri jeton. Ata sot kryen një gjest kriminal. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nuk ka vdekur. Ne jemi këtu. Prishja filloi kur njerëzit ishin brenda. Ky është një krim.  Ne nuk do ta falim këtë gjë. Ne i kërkojmë qytetarëve të bëjnë një mosbindje civile, të thyejnë karantinën. Të bashkohen të gjithë në protesta të vazhdueshme”, tha ai.

Budina i kërkoi Presidentit të shpërndajë parlamentin ilegjitim. “Shpërndaj parlamentin. Tashmë jemi kthyer në diktaturë. Ky ishte akti i fundit. Këtu u varros demokracia. Partitë politike në daç t’i bashkohen lëvizjes qytetarë, në daç në djall të venë”, tha ai.

Ndërsa aktori Neritan Licaj, i cili ka qenë mjaft aktiv në mbrojtjen e godinës së Teatrit i është bashkuar protestës.

Ai shprehet se bashkë me shembjen e Teatrit ka vdekur edhe një pjesë e tija nën ato rrënoja.

“Do doja të mbyllja sytë një çast e kur t’i hapja TK të ishte aty. Për fat të keq kanë mbetur vetëm rrënojat. Një pjesë e imja ka vdekur nën ato rrënoja!”, shprehet ai.

Aktori Mehdi Malkaj tha se “iku një histori e bukur, iku historia e Teatrit”. “Ndonjëherë nuk kanë faj dhe këta policët se janë për bukën e gojës. Populli shqiptar është në gjumë, nuk kam fjalë. Jam krenar për veten time dhe miqtë e mi që kemi qëndruar aty 2 vite e gjysmë, jam shumë krenar për këta njerëz të devotshëm me dashuri të madhe për teatrin, artin”, tha ai.

Regjisori Robert Budina tha se rezistenca do të vazhdojë.” Të dashur zotërinj policë do të jenë të detyruar të qëndroni natë dhe ditë këtu se ne do ta sulmojmë dhe ripushtojmë edhe njëherë atë territor. Do të sfiliteni duke ndenjur aty natë dhe ditë se ne do ta fitojmë kështjellën e demokracisë”.

/m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.