Kurbin/ 513 maturantë rikthehen nesër në bankat e shkollës, Cara për ATSH-në: Janë dezinfektuar shkollat

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Në Bashkinë e Kurbinit rikthehen nesër në bankat e shkollës 513 maturantë.

Kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara bën të ditur për ATSH-në se është bërë dezinfektimi i shkollave dhe gjithçka është gati për të pritur maturantët.

“Në çdo shkollë do të ketë sinjalistikë të brendshme e të jashtme për orientimin e nxënësve. Për secilën bankë do të ketë dezinfektantë dhe do të qëndrojë vetëm një nxënës, teksa bankat në klasë janë të vendosura në mënyrë të atillë që garantojnë distancimin fizik mes nxënësve e mësuesve. Nëpër shkolla do të jenë të afishuara gjithashtu postera që lidhen me distancimin social, rregullat e qëndrimit në shkollë, higjienizimin, kujdesin që duhet treguar për larjen e duarve etj”, u shpreh Cara.

Bashkia e Kurbinit gjithashtu është ndër bashkitë më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ku u dëmtuan edhe disa shkolla.

Cara informoi se është vetëm një gjimnaz i dëmtuar rëndë, konkretisht në njësinë administrative të Mamurrasit dhe mësimi për këta maturantë do të zhvillohet në një shkollë 9-vjeçare.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.