Kredia hipotekore zë 70% të totalit të huamarjes për individët

TIRANË, 17 maj /ATSH/- Lehtësimi i procedurave për marrjen e shërbimit hipotekor,  ka zgjeruar transaksionet, ka rritur  vlerën e pronës dhe zhvillimin e investimeve në pasuritë e patundshme.

Dinamika e këtij zinxhiri është reflektuar në rritjen e kredisë hipotekore për individët .

Statistikat e Bankës së Shqipërisë  tregojnë se, në fund të muajit mars  2020, kredia për individë zuri rreth 12.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB).

Në terma vjetorë, ky portofol ka ruajtur norma të ngjashme rritjeje me tremujorin e kaluar, në 7.7% mesatarisht.

Ndërkohë që struktura e kredisë për individë dominohet nga kredia hipotekare, e cila përbën rreth 70% të portofolit total, ose rreth 9% në terma të PBB-së.

Kredia hipotekare  ka dhënë një kontribut vjetor me rreth 5.5% mesatarisht në rritjen e portofolit të kredisë për individë në tremujorin e parë të vitit.

Në 5 vitet e fundit, ecuria e mirë e kredisë për këtë segment është mbështetur nga standardet vazhdimisht të lehtësuara të kreditimit për blerje banese.  Por, është favorizuar edhe nga lehtësitë administrative procedurale për marrjen e hipotekës.

Banka e Shqipërisë vëren se, ecuria e kredisë hipotekare sipas monedhës rezulton e balancuar, me një peshë të barabartë të secilit segment – lekë dhe valutë, çka konfirmon dinamikën e zhvillimit bashkëkohor të  këtij, tregu në vendin tonë. e.xh//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.