“Dërgimi i mjekëve në Itali gjest i jashtëzakonshëm”/ Ambasadori Bucci: Shqipëria mori masat e duhura që mbrojtën shumë jetë njerëzish

TIRANË, 17 maj/ ATSH- A. Fortuzi/- Dërgimi i mjekëve në Itali ishte një gjest i jashtëzakonshëm. Kështu u shpreh ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci gjatë një interviste televizive të dielën.

“Dua të falenderoj edhe njëherë popullin shqiptar dhe qeverinë shqiptare për atë gjest të jashtëzakonshëm. Në Itali kishte një impakt të madh, sepse të marrësh ndihmë nga Shqipëria, ishte diçka shumë e madhe. Shumë miq më shkruan dhe thanë që Shqipëria po na qëndron me të vërtetë afër, në një kohë kur Europa na braktisi”,- tha Bucci.

Duke folur për menaxhimin e pandemisë, Bucci u shpreh se Shqipëria mori masat e duhura për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19.

“Në Itali fatkeqësisht ishim pak pionierët e kësaj situate pasi ishim vendi që priti goditjen e parë dhe pas çorientimit shoqëror besoj që qeveria jonë zgjodhi masat e duhura për mbylljen e gjithçkaje. Pra për menaxhimin e virusit mund të themi që masat e marra kanë kontribuar në rrafshimin e kurbës dhe për të penguar përhapjen e virusit. Në Shqipëri ishin shumë të vendosur duke vënë rregulla shumë të forta, shumë strikte, por nëse shikojmë të dhënat në fund këto masa mbrojtën shumë jetë njerëzish dhe minimizuan dëmet. Sepse fatmirësisht numri i vdekjeve dhe infektimeve në Shqipëri është në shifra të përmbajtura, edhe në terma përqindjeje, krahasuar me vende të tjera. Tani i gjithë fokusi i Shqipërisë dhe Italisë është rimëkëmbja e ekonomisë, pasi nëse ekonomia nuk rifillon do të thotë shumë të papunë, do të thotë të mos kesh para për të jetuar, do të thotë një jetesë të vështirë për të gjitha familjet e personat”,-theksoi Bucci.

Ai shtoi se janë shumë investitorë italianë që mezi presin të rikthehen në Shqipëri për të rindezur bizneset e tyre.

“Në Itali janë më shumë se 30 mijë biznese ku janë pronarë shqiptarë.  Pra prezenca shqiptare në Itali është shumë e madhe në të gjithë sektorët. E njëjta përsa i përket Italisë. Italia është partneri kryesor tregtar për Shqipërinë. Janë mbi 2 mijë kompani italiane që operojnë në Shqipëri në të gjithë sektorët. Unë pres që brenda fundit të vitit të shihen të dhënat e shkëmbimeve Itali-Shqipëri dhe ka mundësi të shihet një tkurrje e fortë. Ka shumë investitorë italianë që kanë shkuar në Itali këto dy muajt e fundit, që duan të kthehen në Shqipëri pasi ndihen në emergjencë për të vendosur në punë motorët e ekonomisë, sigurisht në respekt të rregullave dhe kujdesit të sigurisë ndaj punonjësve të tyre”,- tha ai.

Por veç menaxhimit të pandemisë, ambasadori Bucci ka një apel për politikën, për t’u bërë bashkë për një çështje thelbësore si reformat integruese.

“Ftoj të gjitha  partitë politike për të bashkëpunuar për atë që është një objektiv thelbësor, për të gjithë Shqipërinë. Pasi nuk është objektiv vetëm i qeverisë apo një partie, por është në interes të të gjithë Shqipërisë që negociatat të ecin me shpejtësi përpara dhe të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur”,- përfundoi Bucci. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.