Tropojë/ Takimi me drejtuesit e njësive administrative, Byberi: Kontrolli i territorit në çdo aspekt

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Bashkia e Tropojës mbetet e angazhuar që  këtij qyteti t’i krijohet imazhi që meriton duke e shndërruar në një destinacion kryesor kombëtar të turizmit të gjelbër.

Kështu u shpreh sot kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi në një takim të zhvilluar në qytetin e Bajram Currit me drejtuesit e njësive administrative, këshilltarët lokalë, kryetarët e fshatrave si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Në takim ishin të pranishëm edhe prefekti i qarkut, Zenel Kuçana si dhe drejtuesit kryesore të Policisë së Shtetit në qarkun Kukës dhe bashkinë Tropojë.

“Kontrolli i territorit në çdo aspekt është tagër dhe detyrë e pushtetit vendor ndaj me ndihmën e komunitetit ky kontroll do të forcohet e do jetë rigoroz konform të gjithë ligjeve në fuqi”, – tha Byberi.

Sipas tij, Tropoja do të fshihet përgjithmonë nga harta kriminale e kultivimit të bimëve narkotike.

“Do të ketë kontroll të rreptë të ndërtimeve pa leje dhe do penalizohen të gjithë pa përjashtim që cenojnë jashtë rregullave urbanistikën e orientuar”, nënvizoi ai.

Kryebashkiaku Byberi u shpreh se “ruajtja dhe administrimi i pyjeve do të jetë objektiv parësor”.

“Ndërsa nuk do të mbetet pas pastrimi i territorit dhe menaxhimi i mbetjeve urbane, pasi lidhet direkt me shëndetin e qytetarëve dhe turizmin”, – tha Byberi.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.