Shpërndarja e portofolit të kredisë sipas sektorëve të ekonomisë, kryeson tregtia

TIRANË, 16 maj /ATSH/ Në strukturën e shpërndarjes së  portofolit të kredisë sipas sektorëve të ekonomisë, kryeson rritja e kredisë për bizneset në sektorin e tregtisë, gjatë tremujorit të parë të kë tij viti.
Sipas raportit të Bankës së Shqipërisë, veçanërisht në muajin mars, ky zhvillim është në linjë me kërkesën e shtuar për mallra ushqimore si dhe me faktin se sektori i tregtisë ishte ndër të paktët sektorë që u lejuan të ushtrojnë aktivitetin e tyre në kuadër të masave të marra për pandeminë COVID-19.
Ndërkaq, rritje të moderuar ka shfaqur dhe kredia për sektorin e ndërtimit, të industrisë dhe bujqësisë.
Sektori i shërbimeve ishte i vetmi sektor që shfaqi rënie të tepricës së kredisë gjatë këtij tremujori. Në harkun kohor të një viti vihet re se kredia për tregti ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm prej rreth 3.4 % në rritjen e portofolit të kredisë për biznese, më pas renditet sektori i industrisë me një kontribut prej 1.7% dhe sektori i shërbimeve me 1 %.
Kredia për biznese është rritur me 1.3 miliardë lekë në tremujorin e parë të
vitit 2020, bën të ditur BSH-ja. e.xh/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.