Shkelën masat kufizuese/ Gjoba dhe heqje leje drejtimi për 47 shtetas në Tiranë

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Policia e Tiranës, në vijim të monitorimit për zbatimin e masave kufizuese kundër COVID-19, gjatë kontrolleve të zhvilluara mbrëmjen e djeshme, pas orës 17:30, fashë orare e përcaktuar për ndalim lëvizjeje pa autorizim në “zonat e kuqe”, ka konstatuar në harkun kohor 20:00 – 24:00, një grup qytetarësh të grumbulluar pranë Teatrit Kombëtar.

Në zbatim të Aktit Normativ, shërbimet e Policisë kanë proceduar me masat administrative përkatëse, gjobë dhe tërheqje të lejes së drejtimit 47 shtetas.

Nisur nga shkeljet e evidentuara ditët e fundit në zonat e kuqe, Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë qytetarët, sidomos ata në “zonat e kuqe” që të respektojnë me rigorozitet oraret e lëvizjes dhe distancimin social dhe në këtë kuadër kërkon mirëkuptimin dhe ndihmën e qytetarëve në të gjithë vendin, që të kontribuojë secili në mbrojtjen e shëndetit nga kërcënimi i virusit vdekjeprurës COVID-19.

Policia e Shtetit siguron qytetarët se është angazhuar maksimalisht në zbatim të ligjit, në mbrojtje të jetës dhe të rendit publik në kushtet e jashtëzakonshme të fatkeqësisë natyrore. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.