Rikthehet Bundesliga/ Dortmund mposht Schalken, fitojnë dhe Hertha me Wolfsburg

TIRANË, 16 maj/ATSH/ -Futbolli është rikthyer sërish sot. Ka qenë Bundesliga gjermane kampionati i parë që ka rikthyer i pari magjinë e futbollit pas më shumë se dy muajsh mungesë për shkak të COVID-19.

Në kampionatin elitar gjerman u luajtën këtë të shtunë shumica e ndeshjeve të javës së 26-të, të gjitha pa praninë e tifozëve dhe nën masat e rrepta të sigurisë për lojtarët dhe stafet teknike.

Ndeshja kryesore e sotme ishte derbi mes  Borussia Dotmundit dhe Schalkes 04 që u fitua nga verdhezinjtë me rezultatin e thellë 4-0.

Erling Haaland zhbllokoi rezultatin që në minutën e 29-të, i shërbyer në perfeksion në qendër të zonës nga Hazard. Talenti norvegjez rezulton gjithashtu të jetë autori i golit të parë të Bundesligës pas pauzës së gjatë.

Dortmundi shkoi në dhomat e zhveshjes në epërsi të dyfishtë, pasi portieri Schubert gaboi në rinisjen e topit, duke ia dorëzuar Brandt, që i dha mundësi Guerreiros të shkundte për herë të dytë rrjetën e Schalkes brenda pjesës së parë.

Dominimi i Dortmundit, që dukej se ishte përgatitur shumë më mirë gjatë kësaj periudhë, u pa qartë edhe në fraksionin e dytë, me Torgen Hazard dhe sërish Guerrieron që vulosën shifrat në 4-0.

Në takimet e tjera spikati fitorja 0-3 e Herthas së Berlinit në fushën e Hoffenheimit (Agpoguma aut 58’, Ibisevic 60’, Cunha 74’).  Ëolfsburgu arriti të mposhtë në kohën shtesë Augsburgun 1-2 (Jevdaj 54’/Steffen 43, Glinczek 90+1’), ndërsa dy sfida të tjera përfunduan në barazim: Leipzig – Freiburg 1-1 (Pulsen 77’/Gulde 34’) dhe Dusseldorf – Paderborn 0-0.

/gj.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.