Programi RELOAD/ Bashkia e Përrenjasit shpall thirrjen e tretë për Shoqërinë Civile

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Bashkia e Përrenjasit në bashkëpunim me Programin Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor i cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNDP, ka filluar procesin e shpalljes së thirrjes së tretë publike për organizatat e Shoqërisë Civile.

Hapi i parë i këtij procesi është konsultimi me OSHC-të i prioriteteve të thirrjes. Specialistët e bashkisë kanë bërë të ditur se duke patur parasysh situatën në vend ku takimet me pjesëmarrje të lartë individësh nuk janë të lejuara, bashkia ka vendosur të kryej procesin e konsultimit të prioriteteve online.

Në këtë kuadër bashkia e Përrenjasit, bazuar në dokumentet strategjike ka përzgjedhur pesë prioritete si aktivizimi i të rinjve dhe zhvillimi i profesioneve tipike rajonale për të rinjtë, bazuar në modele inovacion në fushën e teknologjisë kreative, turizmit, artit dhe kulturës,  shërbimi social, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, mbrojtja e mjedisit, bujqësia etj.

Bashkia Përrenjas ka ftuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile të interesuara të marrin pjesë në procesin e konsultimit të këtyre prioriteteve. z.tosku/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.