“7 000 pako ushqimore të shpërndara në Lezhë”, Ndreu për ATSH: Rindërtimi në fazën finale, investimet me në fokus turizmin

TIRANË, 15 maj/ ATSH- A. Fortuzi/ Kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka bërë me dije se janë 7 000 familje që kanë marrë ndihma në këtë qytet falë misionit humanitar, në kuadër të masave të marra nga qeveria për frenimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ndreu theksoi se, bashkia e Lezhës ka vijuar investimet, ndërsa përsa i takon tërmetit të 26 nëntorit, puna në kuadër të Rindërtimit është në fazën finale.

Sa i takon menaxhimit të situatës së COVID-19, Ndreu u shpreh se “për momentin jemi në situatë pozitive. Prej një muaji nuk kemi asnjë rast të ri. Jemi në zonën e gjelbër. Masat vazhdojnë të jenë të kënaqshme dhe nëse ecim kështu të paktën ky territor ka shumë shpresë, duke patur parasysh se është zonë turistike dhe na intereson që të mos kemi asnjë rast me pandemi COVID- 19”, – shtoi ai.

Sa i takon misionit humanitar, Ndreu tha se “në fillim u përpunuan listat sipas VKM së mbërritura nga qeveria dhe kemi asistuar menjëherë shtresat në nevojë. Gjatë kohës kemi evidentuar dhe familjet të tjera që për shkak të papunësisë dhe numrit të madh të anëtarëve të familjes kanë qenë në kolaps financiar. Sot që flasim bashkia e Lezhës për dy muaj ka shpërndarë 7 000 pako me ushqime dhe vijon ta bëjë. Ka qenë një punë voluminoze, por që ne e kemi përballuar dhe kemi bërë një punë të jashtëzakonshme, ku rolin më të madhe ka biznesi, që ka sponsorizuar 70% të pakove. Shoqata të ndryshme, institucionet, ne si Bashki kemi bërë 150 pako më të ardhurat tona. Rezervat e Shtetit gjithashtu kanë pjesën e tyre”, – tha Ndreu.

Ndreu tha se bashkia që ai drejton ka kryer dezinfektimin e shkollave në bashkëpunim me drejtorinë rajonale arsimore.

“Ne në bashkëpunim me drejtorinë arsimore rajonale po marrim masat përkatëse. Kemi kryer dezinfektimin, dhe nëse do kërkohet dhe ndihma e policisë bashkiake për të vendosur rregull do ta çojmë, por nuk besoj se do jetë e nevojshme”, – tha Ndreu për ATSH-në.

Në kuadër të procesit të Rindërtimit, Ndreu bëri të ditur për ATSH se “është mbyllur procesi i vlerësimit të thelluar nga Instituti i Ndërtimit dhe tani presim skemën e Rindërtimit. Pra investimin për shkollat, që kanë dalë për prokurim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, tashmë vijon puna për banesat private, pallatet, që duhen shembur fillimisht dhe për këtë ka një proces vendimmarrjeje që duhet të kalojë në këshillin bashkiak, ndërsa dy prej pallateve e kanë kaluar këtë proces”.

Kryebashkiaku i Lezhës tha se pavarësisht pandemisë, nuk ka stopim investimesh për momentin.

“Ka qenë stopuar gjithë jeta ekonomike e vendit megjithatë ndërtimi ka vijuar, ishte i lejuar dhe tani kemi nisur punën edhe në disa investime që kemi dhe ne si bashki, si në Shëngjin, në disa punë publike për të bërë gati terrenin për sezonin turistik. Po punojmë rërën, po rregullojmë disa trotuare, po bëjmë një shëtitore të re në zonën e Shëngjinit. Po bëhen disa punë të rëndësishme. Po punohet për ruajtjen dhe hapjen e hapësirave publike nga zaptuesit. Kemi miratuar një skemë për vendosjen e stacioneve të plazhit. Kemi rritur ritmin e punës me shpresën e madhe se do të kemi një sezon turistik që është i mezipritur nga të gjithë ne”, – tha Ndreu për ATSH-në. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.