Nxënësit me numër të kufizuar në klasa, më 1 qershor planifikohet hapja e çerdheve dhe kopshteve

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se sjellja e secilit prej nesh është baza e hapjes dhe se në këtë fazë të dytë, vetëdija e qytetarëve dhe kontributi i tyre do të vendosë së çfarë do të ndodhë me hapjen apo mbylljen, por mbi të gjitha me fatin e kësaj lufte.

Prandaj, tha Kryeministri Rama gjatë një komunikimi mbi masat në situatën e krijuar prej COVID-19, gjithkush duhet ta dijë se merr pjesë në vendimin për mbajtjen hapur apo për ta mbyllur hapësirën e përbashkët.

“Sjellja është baza e hapjes. Të gjithë e nënvizojnë këtë që në këtë fazë të dytë, vetëdija e qytetarëve dhe kontributi i tyre do të vendos së çfarë do të ndodhë me hapjen apo mbylljen, por mbi të gjitha me fatin e kësaj lufte”, shtoi Rama.

Rama tha se disa vende po kthehen mbrapsht e po mbyllen.

“Nuk ka qeveri në planet që ka rezerva të mëdha e që janë pa stresin e jashtëzakonshëm të kësaj situate që vjen nga mbyllja. Të gjithë duam të hapemi, por është përgjegjësi e jashtëzakonshme për të balancuar hapjen graduale me mbrojtjen”, deklaroi Kryeministri.

Më tej, Rama shpjegoi edhe se pse u mbyll Parku i Liqenit.

“Parmbrëmë Parku i Liqenit kishte shëtitje në numra shqetësues, jo masive por shqetësues. Në orën 19:00. Por Tirana është ‘zonë e kuqe’ dhe ka një fashë orare”, u shpreh Kryeministri.

Rama tha se për këtë shkak u shkarkua edhe shefi i Komisariatit që mbulon zonën.

“U shkarkua shefi i Komisariatit nga drejtori i Policisë. Të gjithë drejtuesve të policisë dhe punonjësve në terren ju bëj thirrje se nuk duhet bërë asnjë tolerancë, apo mbyllje sysh, sepse është shumë e rëndësishme që qytetarët të kenë të gjitha të drejtat dhe mundësitë në hapësirën që iu është dhënë. Po aty ku është zonë e kuqe nuk ka tolerancë. Sepse kjo nuk është çështje ngjyrash e pikturash”, tha Rama.

Kryeministri, po ashtu bëri të ditur se institucionet arsimore mbeten të mbyllura dhe se në bankat e shkollës do të kthehen vetëm maturantët për një periudhë 3-javore.

“Jemi në kushtet kur duhet të bëjmë një kujdes shumë të madh. Maturantët do të kthehen në shkolla më 18 maj. Ishte domosdoshmëri për të patur një periudhë 3-javore nëpër klasa. Por janë shumë shkolla që do të vihen në dispozicion të tyre dhe klasat do të jenë me një numër të kufizuar nxënësish. Nuk shkojmë më tutje se deri këtu”, tha Rama.

Kryeministri tha gjithashtu se “duam të hapim kopshtet e çerdhet më 1 qershor, por vendimet lidhen me çfarë do të marrim rezultate nga numrat”. /a.gjonaj//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.