Leku rifiton 80% të vlerës së humbur ndaj euros në fund të marsit

TIRANË, 15 mars /ATSH/ Vlera e lekut kundrejt monedhave të huaja u shfaq relativisht e qëndrueshme në dy muajt e parë të vitit dhe gjysmën e parë të muajit mars.
Kursi euro/lek shënoi mesatarisht 122.4 lekë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar të muajit dhjetor.
Mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë rezultoi rreth 1.9%, lehtësisht më i lartë
se mbiçmimi i vërejtur në fund të vitit të kaluar.
Me përhapjen e pandemisë COVID-19 në vend, tregu valutor pësoi një goditje
të fortë dhe të pazakontë në dhjetë ditët e fundit të muajit mars.
Sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë, diktuar nga një pasiguri e agjentëve të tregut, vëllimet e tregtimit u reduktuan, marzhet mes kuotimeve për blerje dhe shitje të monedhave u zgjeruan, leku u nënçmua ndjeshëm dhe luhatshmëria e kursit të këmbimit u rrit.
Deri në fund të muajit mars, leku humbi rreth 6.6% të vlerës së tij kundrejt euros, ku kursi eur/lek u rrit nga 122.89 në 131.06 në më pak se dy javë.
Pavarësisht amplitudës së kësaj goditjeje, ajo rezultoi afatshkurtër. Në muajin prill, tregu valutor shkoi gradualisht drejt normalitetit; spread-et e kuotimeve po ngushtohen, luhatshmëria ka rënë dhe leku ka rifituar rreth 80% të vlerës së humbur në fund të muajit mars.
Për më tepër, në treg nuk janë krijuar pozicionime në blerje apo shitje nga aktorët e tregut, dhe as pritje të njëanshme mbi perspektivën afatshkurtër
të kursit të këmbimit.
Sipas BSH-së, niveli aktual i kursit prej 125 eur/lek është pranë nivelit mesatar të muajit prill të vitit të kaluar. e.xh/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.