Hapja na ekspozon përballë COVID-19, sjellja e secilit prej nesh vendimtare

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se masat për hapjen do të na ekspozojnë përballë infeksionit COVID-19, ndaj shtoi ai, në këtë fazë, sjellja e secilit prej nesh është vendimtare.

“Që në krye të herës kur po hapemi e po i ekspozohemi natyrshëm çdo ditë e më shumë rrezikut të infektimit. Sot edhe ministrja e Shëndetësisë u detyrua të dalë në konferencën e përgjithshme të autoriteteve që informojnë për situatën e COVID-19 për të lëshuar një mesash shkurt e qartë që numrat po lëvizin. Jemi të vetëdijshëm që numrat lëvizin, sepse rritet ekspozimi, por lëvizja e numrave nëse do të vazhdojë të jetë kështu atëherë do të jetë një problem”, tha Kryeministri.

Rama ripërsëriti se në këtë situate, në këtë fazë, sjellja e secilit prej nesh është vendimtar.

“Sjellja në raport me rregullat është deçizive, sepse në kushtet e hapjes nuk është më një çështje ekskluzive e Policisë së Shtetit, Task Forcave, Inspektorëve apo thjeshtë e vetëm kornizës ligjore, por është më shumë se të gjitha bashkë, çështje e vetëdijes, e kontributit qytetar, sjelljes qytetare në një situatë, ku është patriotizëm të mbrosh shëndetin tënd e të të tjerëve. Sepse, nëse ti infektohesh, jo vetëm dëmton shëndetin tënd, por edhe të të tjerëve”, deklaroi Kryeministri.

Sipas Ramës, ky është patriotizmi sot, të mos shkelësh rregullat.

“Vazhdoj të dëgjoj e lexoj sojin e papërgjegjshëm të atyre që i bien fyellit, në po atë vrimë që i kanë rënë në fillim, se ky është një grip. Këto broçkulla, ju lutem shumë t’i lëmë e të fokusohemi të shkenca, t’i referohemi burimeve zyrtare e nëse duam konfirmim për to, t’i referohemi burimeve ndërkombëtare të informacionit”, u shpreh më tej Kryeministri. /a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.