Garancia e 2 sovrane/ Publikohen në Fletore Zyrtare kushtet e kriteret e marrëveshjes së garancisë dhe asaj të mirëkuptimit

TIRANË, 15 maj/ATSH/ Në Fletoren Zyrtare është publikuar sot vendimi për miratimin e garancisë shtetërore të hausë me bankat tregtare për garantimin e huamarrjes së tregtarëve ose shoqërive tregtare për të mundësuar financimin e nevojshëm për rimëkëmbjen e aktivitetit tregtar të ndikuar nga situata e krijuar nga COVID-19.

Po ashtu, në vendim përcaktohen edhe kushtet e kriteret e marrëveshjes së garancisë dhe asaj të mirëkuptimit.

“Qëllimi i skemës së garancisë prej 15 miliardë lekësh është që të stimulojë huadhënien nga bankat tregtare që operojnë në Republikën e Shqipërisë, për t’i mundësuar tregtarëve ose shoqërive tregtare financimin e nevojshëm për të rimëkëmbur aktivitetin e tyre tregtar, i cili është prekur direkt ose indirekt nga 3 aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19”, thuhet në vendim.

Lidhur me kriteret e kualifikimit të huamarrësve dhe kriteret për përfitimin e huasë në vendim përcaktohet që huamarrësi mund të jetë subjekt që ushtron veprimtarinë tregtare në të gjithë sektorët e ekonomisë, me kusht që veprimtaria e tij tregtare të jetë prekur direkt ose indirekt nga aktet ligjore dhe nënligjore të qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, nëpërmjet mbylljes së përkohshme të aktivitetit tregtar ose nëpërmjet ndikimit me ulje të aktivitetit tregtar.

Po ashtu përcaktohet që huamarrësi nuk duhet të ketë detyrime tatimore të papaguara për 3 periudhat tatimore njëkohësisht dhjetor 2019, janar-shkurt 2020, përjashtuar tatimpaguesit të cilët kanë lidhur marrëveshje për pagimin me këste të detyrimeve tatimore si dhe tatimpaguesit, detyrimet e papaguara të të cilëve janë në proces apelimi në të gjitha shkallët.

Vlera e huasë e vendosur në dispozicion nga huadhënësi për huamarrësin mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga huamarrësi, por në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300 milionë lekë.

Afati i huasë duhet të jetë në diskrecion të huamarrësit, por duke mos tejkaluar në asnjë rast afatin prej 5 vite.

Periudha pa pagesë principali nuk do të jetë më pak se 6 muaj, me përjashtim të rasteve kur Humarrësi preferon një periudhë më të shkurtër.

Huadhënësi duhet të ofrojë huanë me një normë interesi vjetore preferenciale, jo më të lartë se 5%.

Huadhënësi, bazuar në vlerësimet e riskut të kreditit për secilin huamarrës gëzon të drejtën që të kërkojë ose jo kolateral shtesë nga huamarrësi, por në asnjë rast masa e alokuar e kolateralit duke përfshirë edhe vlerën e garantuar të huasë sipas kësaj marrëveshjeje nuk duhet të tejkalojë mbulimin e përllogaritur sipas legjislacionit dhe rregullave të brendshme të huadhënësit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.