Banka e Shqipërisë: Situata COVID-19 nuk do të ndikojë tek çmimet në periudhë afatshkurtër

TIRANË, 15 maj /ATSH/ Në projeksionet e saj Banka e Shqipërisë, parashikon që ndikimi i pandemisë në inflacion pritet të jetë neutral në një periudhë afatshkurtër, duke mos sjellë luhatje të çmimeve në treg.

BSH argumenton se, efekti i rënies së kërkesës pritet të jetë më i fortë se ai i ofertës. Në të kundërt, presionet e huaja inflacioniste pritet të vijnë në rritje, pasi tendencat nënçmuese të kursit të këmbimit pritet të kompensojnë rënien e inflacionit në partnerët tanë tregtarë.

“Megjithatë, pasiguritë në këtë vlerësim janë të larta. Ato lidhen kryesisht me ndikimin në inflacion të rënies së njëkohshme të kërkesës dhe ofertës, si dhe me ecurinë e presioneve të huaja inflacionist”, thekson Banka e Shqipërisë.

Në kushtet e situatës së krijuar nga pandemia, Banka e Shqipërisë ka marrë një paketë masash lehtësuese fiskale, monetare dhe financiare, për të minimizuar kostot e
goditjes mbi familjet, bizneset dhe sistemin financiar shqiptar për një rikuperim të shpejtë të ekonomisë pas përfundimit të COVID-19. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.