Zhvillimi i zonave ekonomike synohet të shtrihet në të gjithë vendin

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Qeveria shqiptare po synon ofrimin e një modeli të suksesshëm duke mundësuar shndërrimin e zonave më parë të pazhvilluara dhe të braktisura në zona më aktive dhe tërheqëse për qytetet.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se p/ligji “Për zhvillimin e zonave të biznesit (BID)” do të shërbejë si katalizator për nxitjen e sipërmarrjes, rigjallërimin e qendrave urbane dhe rurale, zhvillimin ekonomik të zonave me përqendrim të lartë të bizneseve të mesme dhe të vogla, rritjen e qarkullimit dhe rritjen e cilësisë së shërbimit për konsumatorët, qëndrueshmërinë dhe mirëmbajtjen e investimeve publike në qendrat historike, turistike dhe tregtare të qyteteve dhe fshatrave, si dhe krijimin e një infrastrukture më të mirë komunitare.

Në fjalën e saj në seancën plenare të Kuvendit, Denaj u shpreh se efekti ekonomik i organizimeve BID është realitet edhe në Shqipëri, nëpërmjet bashkëpunimit të Qeverisë shqiptare dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në bashkitë Shkodër, Korçë, Berat, Tiranë, Krujë, Gjirokastër dhe Vlorë.

P/ligji, tha ajo, zgjeron kuadrin legjislativ për shtrirjen e këtij modeli në të gjithë vendin.

Referuar të dhënave të publikuara, Qeveria dhe pushteti lokal janë përgjigjur me rreth 6 dollarë investim për çdo 1 dollarë të angazhuar nga AADF, në zonat BID/TID në Shqipëri.

Mbi 800 biznese janë përfituese nga modeli BID në Shqipëri, ndërsa numri i vizitave në zonat BID është rritur me 70%, ku në total llogariten 13.5 milionë vizita unike në vit.

60% e vizitorëve të huaj që vijnë në Shqipëri (të cilët kanë interes për trashëgiminë kulturore Shqiptare), vizitojnë zonat BID/TID.

Ndërsa ka një dyfishim të vlerës së pronës në zonat BID, e barazvlefshme me 78 milionë dollarë vlerë të shtuar.

Perceptimi i bizneseve në këto zona mbi cilësinë e shërbimeve publike është me mbi 80% në krahasim me periudhën para ndërhyrjeve restauruese.

Aktivitetet në zonat BID/TID janë 7-fishuar, duke treguar rivitalizimin e qyteteve. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.