Ulja e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, vijojnë takimet me USAID dhe KLGJ

TIRANË, 14 maj /ATSH – A. Fortuzi/ Në vazhdim të zbatimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit për përmirësimin e efikasitetit dhe uljen e numrit të çështjeve të prapambetura, të enjten u zhvillua takimi i radhës mes Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Projektit të USAID-it “Drejtësi për të gjithë”.

Pjesëmarrësit rishikuan dhe diskutuan mbi kërkesat e Marrëveshjes së Mirëkuptimit dhe ranë dakord mbi disa çështje të cilat kanë të bëjnë me:

Versionin përfundimtar të Fushës së Aktivitetit, Kualifikimeve Minimale, Pagës dhe Numrit fillestar të pozicioneve të NUNÇP (Nëpunësit për Uljen e Numrit të Çështjeve të Prapambetura).

Përcaktimin se ku do të publikohet dhe kohëzgjatja e thirrjes për aplikim; Krijimin e Pyetjeve të Shpeshta për nismën; Bashkëpunimin për të ofruar sesione informuese për Donatorët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile; Bashkëpunimin për të filluar përpunimin e programit PAKS+ për Gjykatën e Lartë; Bashkëpunimin për t’u takuar për shqyrtimin e përmirësimeve të Sistemit të Menaxhimit të Çështjeve.

Zbatimi në praktikë i këtij memorandumi pritet të sjellë jo vetëm reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura në Gjykatën e Lartë, por dhe parandalimin e shtimit të mëtejshëm të tyre.

Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit do të punojnë mbi plotësimin e detyrave individuale të cilat do të diskutohen në një takim tjetër në javën që vjen. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.