Tirana vatra më e rrezikshme, e fundit që do çlirohet nëse numrat do vazhdojnë të na flasin kështu

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Tirana do të mbetet zonë e kuqe përsëri, sepse numrat nuk japin ende indikacionin për t’u hapur”.

I ftuar në një studio televizive, Rama tha se “rreziku sot është i madh, sepse ne e kemi hapur pjesën më të madhe të vendit në një masë të madhe”.

“Kemi disa ‘zona të kuqe’ me regjim më të kufizuar. Jam shumë i paduruar të shikoj numrat edhe sot, edhe nesër, edhe pasnesër nga Tirana. Tirana është vatra me rrezikshmërinë më të madhe’ me intensitet shumë të madh veprimtarie, por brenda kësaj ‘zone të kuqe’ lehtësimi i bërë është i madh”, – tha Kryeministri.

Kryeministri theksoi se nëse numrat do të na flasin siç na folën sot, Tirana sipas të gjitha gjasave do të jetë e fundit që do çlirohet se situata nuk është premtuese”.

Kryeministri theksoi se mund të ketë shkelje dhe thyerje të rregullave dhe fenomenin po e  konstatojnë në gjithë botën që njerëzit kanë tendencën të shkojnë përtej.

“Mua do të keni ditën të më gjykoni si të doni, por mos kërkoni të bëj të mirin kur faktet  nuk ma lejojnë. Ndaj nëse qytetarët e Tiranës do të vazhdojnë siç kanë bërë një pjesë e tyre, jo shumica ju bëj me dije se dje është shkarkuar shefi i komisariatit të parkut të Liqenit nga drejtori i përgjithshëm i Policisë, sepse dje, përtej orarit, në zonën e parkut kishte numër të madh njerëzish”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se “është ndjekur politika që të mos veprohet shumë me gjoba dhe presion për t’u dhënë mesazhin njerëzve që jemi bashkë me këtë punë”.

“Mos u çudisni që në vend që të bëhet ‘zonë e gjelbër’, mbas një jave apo 10 ditësh të kthehemi në zonë e mbyllur fare dhe jo se dua unë. Nëse numrat do të vazhdojnë të na flasin kështu, nuk ka shans që Tirana të kaloj në ‘zonë të gjelbër’. Vendimi mbi këtë merret nesër që është ditë e premte, duke parë edhe numrat e natës së sotme, por numrat deri sot nuk na kanë dhënë asnjë shenjë. Në zonat e tjera nuk kemi shfaqje shqetësuese ende. Kjo është tërhiqe mos e shkëput, jo lëshoje dhe nuk tërhiqet më”, – tha Rama.

Lidhur me qarkullimin me makinë, kryeministri theksoi se edhe në Greqi apo në Itali nuk kalohet dot nga njëri qark në tjetrin, duhet autorizim i posaçëm dhe nuk ka qarkullim të lirë.

“Sot në Shqipëri në të gjitha zonat e gjelbra ka komunikim. Ndërsa në Tiranë, nuk do të ketë qarkullim pa autorizim nëse do të jetë zonë e kuqe edhe javën e ardhshme. Në dorë e keni ju të gjithë, ne. Nëse secili prej nesh bën gjënë e duhur jemi shumë më të mbrojtur, nëse marrim shembull nga Basha ne bëjmë gjënë e gabuar. Pasojat shkojnë zinxhir”, – tha Rama. /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.