Mbaron kalvari 30-vjeçar i hipotekave, falë revolucionit të vërtetë digjital/ Rama: Dokumentin e pronës me telefon nga shtëpia

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “me anë të aplikimit të ri online do të lehtësohet i gjithë procesi, ky është një revolucion i vërtetë dhe kuptimplotë në rezultatin konkret që i gjithë sistemi bllokues, pengues, thithës, i të ardhurave të qytetarëve në kanalet e zeza të korrupsionit bie”.

Në videokonferencën e organizuar me drejtorin e Kadastrës, Artan Lame dhe drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj për aplikimin e ri online për hipotekat, Kryeministri Rama tha se, “a e besoni dot që mbaroi kalvari 30-vjeçar i hipotekave dhe falë revolucionit digjital 2020, dokumenti i pronës do të mund të merret pa lëvizur nga shtëpia ose nga celulari apo kompjuteri më i afërt, në vetëm pak minuta?”

“E pra, më në fund ia dolëm ta mbajmë këtë zotim tejet të vështirë dhe t’i japim fund sekserëve, bakshisheve, pritjeve e zvarritjeve, që në 30 vjet e kthyen Hipotekën, në gropën më të zezë të korrupsionit në Shqipëri, pas gjykatave e prokurorive, ku vazhdon pastrimi i thellë e tejet i vështirë po ashtu”, – tha Rama.

Sipas tij, do të mjaftojë tashmë një klik në “e-Albania” dhe kadastra shtetërore do të vijë tek ju, pa ndërmjetës e pa radhë.

“Sistemi sapo është “ndezur” dhe lutja ime për të gjithë është që në këto dy javë të para testimi, pak durim nëse hasni në vështirësi gjatë marrjes së shërbimit. Siç do ta shihni edhe pagesat e shërbimeve të kadastrës do të mund t’i bëni online, përmes llogarisë suaj bankare, ndërkohë që po finalizohen marrëveshjet me të gjitha bankat e nivelit të dytë në vendin tonë”, – theksoi Rama, duke shtuar se për ata që nuk kanë kartë krediti apo debiti, mandat pagesa gjenerohet nga “e-Albania” dhe qytetari e bën pagesën në bankë dhe e ngarkon në aplikim – pa radhë, pa vonesë, pa ryshfet.

“Dihet që tanimë kemi Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, një sistem i integruar dhe ajo që është më e rëndësishmja shërbimet online në Kadastër janë pjesë e revolucionit digjital që e kthen vitin 2020 në një vit transformimi të madh për të lehtësuar qytetarët nga pritjet ecejaket, nga rëndesat dhe për të krijuar një kornizë të plotë transparencë dhe llogaridhënie për të gjithë sistemin ku u shërbehet qytetarëve në të gjitha shërbimet publike”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ajo që dua them pa marrë shumë kohë, se sot jemi këtu që përmes drejtorit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe drejtoreshës së AKSHI-t të bëjmë një prezantim për publikun, por është e rëndësishme të thuhet që me Kadastrën filluam me aplikimet online dhe njëkohësisht premtuam vijimin e këtij procesi shumë të vështirë e të ndërlikuar, për shkak të përmbajtjes së të dhënave ende jo të plota të mbylljes së ciklit të shërbimit”.

“Që nga 1 janari shërbimet kadastrale bëhen me aplikim online dhe me futjen e vulës elektronike tanimë edhe pjesa e tjetër e shërbimit do të bëhet online, që do të thotë nuk është më nevoja, por në një proces të arsyeshëm tranzicioni nuk do të jetë më as mundësia për të shkuar as fizikisht për të marrë shërbime, sepse gjithçka do të bëhet nga shtëpia, telefoni, kompjuteri me i afërt”, – theksoi Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se “deri në dhjetor të vitit të kaluar qytetari do të paraqitej fizikisht në sportelet e ZRPP-së, do të aplikonte për shërbimin e kërkuar, do të kryente pagesat, do priste deri në ditën kur t’i thoshin ‘hajde merr dokumentin’ dhe kjo ishte një ditë që ndoshta s’vinte kurrë, ose vinte, po nuk sillte shërbimin e kërkuar dhe kështu ishin krijuar gjithë qerthujt e tmerrshëm të sekserëve dhe të ndërmjetësve të të gjitha niveleve, duke përfshirë patjetër edhe bishtat e këtyre qerthujve brendapërbrenda sistemit në një panoramë të tërë llumi dhe korrupsioni”.

“Me aplikimet online procedura ka ndryshuar në pjesën e parë të saj, qytetarët aplikojnë përmes telefonit ose me llogarisë së tyre personale, ose shkojnë në sportele ku ndihmohen për të bërë aplikimet online për këtë tranzicion që kemi folur. Pas përfundimit të materialit në një afat 7-21 ditë, në varësi të shërbimit, përgjigjet merren në postë. Deri këtu kemi lehtësuar vetëm aplikimin, por jo pjesën e dytë të shërbimit”, – tha Rama.

“Është shumë e rëndësishme domosdoshmëria e informimit me insistimin e qytetarëve. Bashkërisht Kadastra dhe AKSHI të bëni një plan dymujor për lajmërimin, sensibilizimin, shpjegimin e sistemit, edhe për trajnimin e të gjithë personave për t’i shërbyer qytetarëve në këtë proces”, – tha Rama.

Nga ana tjetër, vijoi ai, institucionet do ta marrin shërbimet në kohë reale. Prokuroria, gjykatat, Policia, bashkitë, struktura e Vetingut, bankat. Kështu zhduket edhe handikapi i vjetër për kopje unike të një certifikate.

“Adaptimi me filozofinë e re të dokumenteve me vulë elektronike është në proces. Fakti që pavarësisht se edhe sistemi i ri që prezantuam në janar është ende shumë i ri, por edhe pengesave dhe situatës së krijuar nga pandemia, ka vazhduar të funksionojë. 40 mijë shërbime nuk janë pak dhe ajo që është shumë inkurajuese është që në këtë proces janë të përfshira të gjitha moshat”, – tha Rama, duke shtuar se pjesa më e madhe që e përdorin platformën janë të moshuar. /k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.