Ligji “Për tregjet e kapitalit”, instrument për të zhvilluar ekonominë shqiptare

TIRANË, 14 maj/ATSH-Maela Marini/ Ligji “Për tregjet e kapitalit” hap një derë dhe synon të krijojë një instrument për të zhvilluar ekonominë shqiptare.

Kështu deklaroi sot në Kuvend, deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati.

“Deri sot historia e tregut kapital asnjëherë nuk ka pasur jetë në Shqipëri. Nuk është materializuar asnjëherë në ekonominë shqiptare. Ligji përmirëson kuadrin ligjzbatues dhe është i njëjtë me atë në vendet e Europës. Në kohë pandemia ky ligj sjell hov cilësor në financat e shtetit”, tha Bushati.

Ai theksoi se “ajo që kemi pritur gjithë këto vite nuk mund të vij nëse nuk bëjmë disa hapa mekanike”. “Në fillim rritet performanca ekonomike, rritet tregu, mund të futen shumë para. Gjysma e depozitave investohen sot. Janë 5 miliardë euro në banka të fjetura që nuk investohen në ekonomi. Nëse edhe ¼ e këtij potenciali të vihet në funksion të ekonomisë do kemi një ekonomi shumë të shëndetshme”, tha Bushati.

Po ashtu ai theksoi se “nëse borxhet që merr qeveria maten në bursën e Tiranës do të ishte shumë e lehtë”. “Borxhi sot është 2.4% në raport me PBB-në. Në 2013 ka qenë 3.2%, pra janë 120 milionë dollarë që kursejmë nga performanca e rritur”, tha Bushati.

Ai theksoi po ashtu se “mund të përmirësohen shumë edhe shërbimet publike nëse kemi vullnetin të fillojmë të kuotojmë në këto bursa kompani të mëdha publike, si OSHEE”.

“Nëse Ujësjellës Kanalizime kuotohen në bursë do të jenë vlerë reale në treg, por do të gjykohen nga qytetarët nëse kanë pasur një punë shumë të mirë. Nëse ne këtë makineri dimë ta ndezim mund të jetë një ‘Big Bang’ i financave shqiptare. Në një moment kaq të rëndësishëm, nëse do të vëmë këtë instrument do të kemi një kapital të shtuar për të rritur ekonominë. Bursa e Tiranës është makineri ekonomike”, tha Bushati. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.