“Kornizë e qëndrueshme rregullatore për tërheqjen e investimeve”, Balluku: Reforma në sektorin e energjisë, domosdoshmëri

Live: Fjala në Parlament e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Live: Fjala në Parlament e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gepostet von Taulant Balla am Donnerstag, 14. Mai 2020

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi të enjten në seancë plenare ndryshimet në ligjin për energjinë elektrike, të cilat synojnë pavarësinë e institucioneve që shërbejnë për transmetimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike.

Në kushtet kur Bashkimi Europian mori vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë, tha Balluku, reforma në sektorin e energjisë është një domosdoshmëri.

“Çka synohet të arrihet është krijimi i një kornize të qëndrueshme rregullatore dhe tregu të aftë për të tërhequr investimin në prodhimin e energjisë dhe rrjetit elektrik të huaj e vendas, krijimin e një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e BE, garantimin e furnizimit të qëndrueshëm e vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik mbarëkombëtar, si dhe nxitjen e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficiencën e kësaj energjie: u shpreh Balluku.

Më tej, ministrja tha se ndryshimet po ashtu i hapin rrugë zhvillimit të konkurrencës, çka është më e rëndësishmja, për të cilën ne po mundohemi ta nxisim sa më shumë, si atë rajonale edhe atë vendase përmes krijimit të një tregu të lirë të energjisë elektrike.

“Ne, vitin e kaluar kemi arritur t’i japim jetë bursës së energjisë elektrike për herë të parë”, shtoi ministrja.

Sipas saj, ndryshimet në ligjin për energjinë elektrike shfuqizojnë disa dispozita ligjore që pengojnë arritjen e një autonomie të plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen ligjore e funksionale të OSHEE-së, një proces që ka nisur nga 1 janari 2020 dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.

“Për të siguruar pavarësinë janë ndërmarrë një sërë hapash që kanë mundësuar certifikimin e OST nga ERE, me kushtin që të realizohet nëpërmjet delegimit të kompetencave të caktuara tek aksionari i shoqërisë. Në bazë të ndryshimeve ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk mundet më ti propozojë Këshillit të Ministrave miratimin apo kundërshtim të interkonjektorëve të rinj që do të ndërtohen nga OST. Ministria e Financave dhe Ekonomisë si aksioner do të ketë ekskluzivitetin e dhënies së opinionit në ERE për planin e zhvillimit të rrjetit”, tha Balluku.

Për realizimin e ndarjes së OSHEE, ministrja tha se, propozohet ndryshim në nenin 72, që garanton pavarësinë teknike, fizike e financiare të tre kompanive bija të krijuara gjatë procesit të ndarjes.

Shoqëria mëmë rezervon të drejtën e mbikëqyrjes ekonomike e manaxheriale, por nuk mund të japë udhëzime për veprimtaritë operacionale dhe nuk ka të drejtë vendimmarrje lidhur me ndërtimin apo rikonstruksionin e linjave të shpërndarjes.

“Krijojnë pavarësi të plotë pavarësisht se kanë një kompani mëmë që mbikëqyr proceset”, tha Balluku.

Ajo bëri të ditur se ndryshimet janë kryer në bashkëpunim me Sekretariatin e Komitetit për Energjinë. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.