“Hapja graduale rrit imunitetin”/ Pipero: Rastet e fundit nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt

TIRANE, 14 maj /ATSH/-Mjeku i njohur Pëllumb Pipero e konsideron të qetë dhe të butë epideminë në vendin tonë pavarësisht një rritjeje të ndjeshme të numrit të të infektuarve në 24 orët e fundit.

Gjatë një interviste televizive, Pipero tha se “sot kemi 18 raste pozitive, por dje dhe sot nuk kemi asnjë rast të ri të shtruar. Janë raste që nuk dëshmojnë sëmundshmëri, por rënien në kontakt”.

Por Pipero apelon që qytetarët nuk duhet të humbasin kujdesin dhe vëmendjen përballë koronavirusit.

“Është një virus me shumë të panjohura dhe vendet që nuk kanë respektuar gradualitetin janë kthyer pas në masa. Hapja duhet të jetë graduale dhe rajonale, pasi ato mikrovatra që janë ende t’i mbajmë të survejuara, të mos na ndodhi t’i kthejmë mbrapsht”, tha Pipero, duke theksuar se është shumë e rëndësishme mbajtja e distancës fizike dhe larja e duarve nga qytetarët.

Ai theksoi se rastet edhe pse sporadike janë pa komplikacione, duke nënvizuar se epidemia është nën kontroll.

“Ka një teori që  me kalimin nga një person në një tjetër bie virulenca dhe ky është fakt. Dhe ekspozimi, vazhdimi i hapjes do na japi dy gjëra: së pari në aspektin psikologjik do jemi më të qetë, në aspektin ekonomik po e po , por edhe rritja e imunitetit”, deklaroi mjeku Pipero.

Ai theksoi se “virusi tek ne ka jo vetëm rënie të qarkullimit të transmetueshmërisë, por edhe rënie të virulencës, nuk është më agresiv sa ka qenë. Pra nuk sjell sëmundje, sjell rritje të mbrojtjes”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.