COVID-19/ Shqipëria ka numra të ulët, pasi kemi qenë më të shpejtët dhe më striktët nga të gjithë

TIRANË, 14 maj/ATSH-Gjergji Mima/ “Nëse Shqipëria ka këto numra të infektuarish dhe humbjesh jete është se kemi qenë më të shpejtët dhe më striktët nga të gjithë”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

I pyetur në një intervistë televizive për valën e dytë të pandemisë, Rama tha se, “nuk kam folur unë, se nuk jam epidemiolog, as restaurator monumentesh kulture. Unë jam personi që flas i informuar dhe pasi bëj detyrat e shtëpisë, i mësoj mësimet, pastaj them gjërat që mësoj. Valë të dytë nuk kam thënë unë. Flet gjithë bota për valë të dytë. Unë them atë që thonë të gjithë që virusi nuk ka ikur, është këtu. Nëse ne sot kemi këto numra është se jemi sjellë kështu. Se mirë të tjerët, po shikoni rajonin, shikoni sa kanë vdekur në Maqedoni. Ne në tërmet humbëm 51 persona dhe e vuajtëm me të drejtë sikur humbëm gjysmën e popullit. 95 veta kanë humbur jetën në Maqedoni, po bëhen 100 veta. Pse e them këtë? Se dhe ata kanë marrë masa. Po ne kemi qenë më të shpejtët dhe më striktët nga të gjithë. Dhe këto talljet e sharjet, e ankesat mbi mua, hallall të gjitha. Këto e kanë bërë këtë”.

I pyetur në lidhje me shqiptarët që kanë mbetur jashtë dhe u kanë skaduar pasaportat, a do kenë penalitete, Rama tha se, “asnjë. U shqetësuan, u alarmuan për lejen e qëndrimit në Greqi dhe fakti është që nuk u penalizuan. Asnjë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.