Basha takon biznesin në Durrës: Pandemia thelloi krizën ekonomike

TIRANË, 14 maj /ATSH – I. Vata/  “Qeveria ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë në kurriz të shqiptarëve”, tha sot kryetari i PD-së Lulzim Basha gjatë takimit që zhvilloi me bizneset në Durrës.

Basha shprehet se në Durrësin që vuan ende pasojat e tërmetit të nëntorit, pandemia vetëm se e ka thelluar më shumë krizën ekonomike.

“Në rrugë dhe dyqane, qytetarët që takova më shprehën shqetësimin për mungesën e plotë të ndihmës nga qeveria Rama. Janë të shumtë dhe në Durrës ata që nuk kanë marrë rrogën e premtuar nga qeveria. Ndërkohë që rihapja e bizneseve me fasha orare të reduktuara, veç uljes së xhiros, shoqërohet dhe me faturat e larta të energjisë elektrike, tatimeve dhe taksave vendore. Përditë e më zi shohin durrsakët ndërsa sezoni turistik i këtij viti pritet të jetë i vështirë dhe me humbje të pallogaritshme për turizmin e qytetit. Familje të tëra që do të kenë më pak të ardhura për shtëpitë e tyre pasi një nga burimet kryesore do shterojë”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.