Tremujori i parë i 2020-ës/ Zgjerohet me 4 miliardë lekë kredia për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme

TIRANË, 13 maj /ATSH/ Gjatë këtij viti bankat rritën kreditimin për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke qenë edhe fokusi i strategjive të bankave.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e parë të vitit, rritja e kredisë për NVM-të reflekton zgjerimin me 4 miliardë lekë të kredisë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), e cila ka kompensuar tkurrjen e portofolit të kredisë për biznesin e madh.
Reduktimi i portofolit të kredisë për biznesin e madh, ka ardhur si pasojë e rënies së kredive të reja të disbursuara për këtë segment (me rreth 15%) dhe përdorimit të fondeve të veta për kapital qarkullues gjatë muajit mars, e ndikuar nga situata e krijuar nga pandemia COVID-19.
Të dhënat e vrojtimit të aktivitetit kreditues tregojnë se situata ekonomike e krijuar pas përhapjes së COVID-19 në fillim të muajit mars ka ndikuar në rënien e fortë të kërkesës për kredi, si nga bizneset e mëdha ashtu edhe ato të mesme e të vogla.
e.xh//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.