VIDEO/ Investimi në ujësjellës, 25.000 banorë të Beratit furnizim 24 orë me ujë të pijshëm

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Rreth 25.000 banorë të Beratit përfitojnë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm e me cilësi, nga bashkinvestimi i qeverisë shqiptare, gjermane dhe zvicerane në infrastrukturën e ujësjellësit të kësaj zone.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, bën të ditur se vazhdon puna në veprën e ujësjellësit të Beratit.

Përmes këtij investimi janë 25.000 banorë në 40% të zonës urbane të Beratit, të cilët përfitojnë 24 orë të pijshëm e me cilësi, krahas sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura.

Objektivi strategjik i qeverisë shqiptare është transformimi rrënjësor i sektorit të ujit përmes modernizimit të sistemeve Ujësjellës Kanalizime.

Afati i përfundimit të punimeve është dhjetor 2021, ndërkohë që objektet kryesore të investimit janë: implementimi i sistemit të standardizuar SCADA, rehabilitimi i rrjetit të brendshëm të ujëmbledhësit dhe kanalizimet.

Ky investim i rëndësishëm përfshin instalimin 100% të ujëmatësave dhe do të ketë impakt kryesor në përmirësimin e sasisë së ujit për frymë, cilësinë e ujit, eliminimin e humbjeve në rrjet dhe rritjen e performancës. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.