Rritje e eksporteve nga fushat e Maliqit/ Dulallari për ATSH-në: Patatet, qepët e mollët më të kërkuarat

TIRANË, 12 maj /ATSH/ Prodhimi bujqësor në bashkinë e Maliqit është rritur ndjeshëm gjatë vitit të fundit, krahas ecurisë së mirë që ka patur edhe shitja dhe eksporti i këtyre produkteve.

Drejtori i Bujqësisë, në bashkinë Maliq, Arben Dulallari i tha sot ATSH-së se, gjatë këtij viti rritje të ndjeshme ka shënuar eksporti i prodhimeve tradicionale të zonës, si molla patatja dhe qepa, që vijojnë të jenë edhe më të kërkuarat nga tregu vendas dhe ai i huaj.

Sipas tij, këtë vit janë eksportuar 8 mijë kv patate, kundrejt 6 mijë kv, që ishin eksportuar në të njëjtën periudhë vitin e kaluar. Rritje shënoi edhe eksporti i qepëve me rreth 2 mijë kv më shumë, ndërsa eksporti i mollëve shënoi 6 mijë kv, kundrejt 5 mijë kv që ishin vitin e kaluar.

Prodhimi bujqësor nga zona e Maliqit, krahas eksportit kryesisht në Greqi, vijon të furnizojë më së shumti tregun kryeqytetas dhe atë të Durrësit.

Ndërkohë sipërfaqja e mbjellë me prodhime të ndryshme bujqësore në bashkinë e Maliqit, shënon rreth 22 mijë hektarë.

Dulallari tha se, puna në sektorin e bujqësisë dhe atë blegtoral nuk është ndalur për asnjë moment pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19. Ndërsa investimet në veprat bonifikuese, kanë bërë që këto dy vitet e fundit fusha e Maliqit të mos përmbytet më, duke mundësuar mbjelljen e saj, në 13 ha sipërfaqe me misër, qepë, grurë e patate. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.