Rikthimi i maturantëve në shkollë më 18 maj/ Shahini: Respektoni masat e distancimit social dhe të higjienës personale

https://www.facebook.com/shahinibesa/videos/254934058950134

TIRANË, 12 maj /ATSH – I. Vata/ Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa, Shahini apelon për të gjithë nxënësit e maturës që do të rikthehen në shkollë për të zhvilluar përgatitjen për provim të respektojnë masat e distancimit social dhe të higjienës personale për të parandaluar përhapjen e COVID-19.

Po ashtu, ministrja Shahini u drejtohet maturantëve të bëjnë kujdes me masat, sepse janë të rëndësishme për shëndetin e të gjithëve.

“Maturantë të dashur! Ju më 18 maj do ktheheni në bankat e shkollës dhe do bëni gjithë përgatitjet e nevojshme për provimin e maturës në mënyrë që të kujdeseni për shëndetin tuaj, familjarëve tuaj, shokëve tuaj dhe mësuesve është e rëndësishme që të ndiqen disa rregulla të thjeshta gjatë qëndrimit në Shkollë”, shprehet ajo.

Shahini shtoi se “rregulli i parë para se të vini në shkollë duhet të vendosni maskën. Para shkollës do rreshtoheni në një distancë 1,5-2 m nga njëri-tjetri, distancë që do të mirëmbahet gjatë gjithë qëndrimit tuaj në shkollë. Edhe ulja në klasat tuaja është organizuar në një distancë të tillë mes njëri-tjetrit. Nëse keni nevojë të përdorni dezinfektues gjatë qëndrimit në shkolla keni në bankat e shkollës një dezinfektues që mund të përdoret gjatë ditës”.

“Për çdo arsye mos harroni rregullat kryesore, mos u shqetësoni në hyrje të secilës shkollë dhe gjatë qëndrimit në shkolla dhe në korridoret e secilit kat kemi vendosur postera me ilustrime të thjeshta të rregullave kryesore që duhet t’i ndiqni gjatë qëndrimit në shkollë. Rregulli kryesor për parandalimin e përhapjes së virusit është larja e shpeshtë e duarve. Para tualeteve të shkollës janë vendosur postera me hapat që duhet të ndiqen për një larje të thellë dhe të mirë të duarve”, tha ajo. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.