“Numri i infektimeve u mbajt mjaft i ulët”/Ambasadorja e SHBA: Qeveria meritë për masat ndaj COVID-19, rezultatet flasin vetë

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim deklaroi sot se, “rezultatet flasin vetë sa i përket mënyrës sesi qeveria e ka trajtuar çështjen e koronavirusit”.

Në një intervistë për EuroNews e pyetur për situatën e pandemisë së koronavirusit në vendin tonë, ambasadorja Kim tha se, “pata mundësinë të shoh sesi është vërtetë Shqipëria dhe shqiptarët. Ajo që pashë ishte kurajë, këmbëngulje dhe shpresë. Më duhet të them. Ia kemi dalë goxha mirë në menaxhimin e situatës”.

Duke theksuar se e shohim Shqipërinë si mike të sinqertë dhe të veçantë, ambasadorja Kim foli për ndihmën që SHBA i ka dhënë Shqipërisë për të kaluar pasojat e pandemisë.

“SHBA-të janë kontribuesi më i madh për çështjet humanitare të shëndetit dhe çështje të tjera dhe gjatë 20 viteve të fundit kemi ofruar mbi 140 miliardë dollarë ndihma në mbarë botën. Vetëm për koronavirusin në javët e fundit kemi dhënë 900 milionë dollarë. Nga këto rreth 1.2 milionë deri tani kanë ardhur në Shqipëri. Do të ketë më shumë dhe shpresoj që njerëzit ta dinë që 1.2 milionët iu shtohen shumë ndihmave të tjera. Gjatë viteve kemi dhënë rreth 693 milionë dollarë asistencë dhe jemi të kënaqur ta bëjmë këtë, sepse siç thoni ju këtu, miku i vërtetë është mik në nevojë”, tha Kim.

“Ajo që vë re”, tha Kim, “është që nuk është rrugë me një kalim. Ne ndjejmë që edhe Shqipëria ka ndërmarrë shumë veprime për t’u kujdesur për ne dhe për t’u kujdesur për të tjerët. Dhe me çështjen e koronavirusit kur pashë 90 personel mjekësor që shkuan në qendrën e sëmundjes në Itali, m’u duk një gjest jashtëzakonisht i guximshëm dhe prekës. Ndaj për mua tani që jam këtu ndihem pjesërisht shqiptare. Ndihem krenare”.

E pyetur se si është sjellë qeveria sa i përket masave të marra gjatë kësaj pandemie, ambasadorja Kim tha se, “mendoj se rezultatet flasin vetë sa i përket mënyrës sesi qeveria e ka trajtuar çështjen e koronavirusit. Do të thoja se qeverisë i takon meritë, por ju takon dhe të tjerëve, përfshi qytetarëve shqiptarë. Sepse nuk do të kishte ndodhur nëse shumica dërrmuese e njerëzve nuk do t’u ishin përmbajtur masave shtrënguese. Prandaj si rezultat i gjithësecilit niveli i infektimeve dhe numri i vdekjeve u mbajt në nivel mjaft të ulët”.

Sa i përket llogaridhënies ndaj qytetarëve, Kim tha se, “mendoj se ajo qëndron në zemër të një demokracie dhe të sundimit të ligjit dhe keni të drejtë që përqendroheni tek ajo. Por nuk është detyrë e ambasadës së SHBA apo qeverisë së SHBA që t’ia kërkojë këtë qeverisë shqiptare është diçka që duhet ta kërkojë populli shqiptar. Për mua si përfaqësuese e qeverisë së SHBA këtu në ambasadë në çdo çast jam e përgatitur të përgjigjem sesi i shpenzojmë dollarët e taksapaguesve amerikanë në ambasadë dhe mendoj se populli shqiptar duhet të ketë të njëjtën pritshmëri nga qeveria e vet. Duhet të kërkojë një përgjigje. Duhet të bëni pyetje. Duhet të ushtroni presion për këtë”.

E pyetur nëse përbënte ndonjë shqetësim specifik për ambasadën e SHBA ndryshimi i Kodit Penal, ambasadorja Kim tha se, “nuk do të komentoj specifikisht për këtë. Por ajo që do të them është që procesi i arritjes deri tek ligji mendoj se ishte një model, ku qeveria propozoi diçka, opozita shprehu mendimet e saj, shoqëria civile bëri të qarta shqetësimet e saj. Presidenti pati një opinion. Parlamenti debatoi, e miratoi. Presidenti bëri ndryshime të mëtejshme dhe më pas u miratua. Për mua ky është modeli sesi duhet të funksionojë procesi legjislativ në një demokraci”.

E pyetur në lidhje me sektorët në të cilët investuesit amerikanë do të ishin më shumë të interesuar në Shqipëri, ambasadorja Kim tha se, “mendoj se infrastruktura dhe energjia kanë gjithmonë interes. Ato do të mbeten mallra konsumi”.

“Mendoj se koronavirusi do të prekë tregtinë për shumë vende dhe shumë rajone në mbarë botë por ka mundësi këtu dhe unë shpresoj se korniza ligjore dhe funksionimi do të jenë në gjendje të tillë që do t’u tregojnë investuesve amerikanë se Shqipëria është një bast i mirë,” u përgjigj ambasadorja Yuri Kim. /gj.m/ /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.