“Ndër sektorët më të prekur nga pasojat e pandemisë”, Meta: Plan konkret për mbështetjen e turizmit

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Turizmi është një ndër sektorët më të prekur nga pandemia COVID-19 dhe sezoni i ri turistik në vend parashikohet tejet i vështirë.

Kështu u shpreh sot Presidenti Ilir Meta, gjatë një takimi me përfaqësues të operatorëve turistikë.

Në fjalën e tij Meta theksoi se “veç humbjeve gjatë periudhës së karantinës, shumica e prenotimeve janë anuluar duke vënë në rrezik mbijetesën e këtij sektori tepër të rëndësishëm për ekonominë familjare dhe kombëtare”.

“Shqetësimi i thellë për krizën e rëndë ku ndodhet ky sektor m’u shpreh sot edhe në takimin që zhvillova me përfaqësuesit e operatorëve dhe agjencive turistike kryesore në vend”, – tha Meta.

Kreu i shtetit u shpreh se “nevojitet qartësi, solidaritet gjithëpërfshirës kombëtar, një plan konkret dhe i prekshëm në mbështetje të turizmit, që dëmi i shkaktuar nga pandemia COVID-19 të jetë sa më minimal dhe që ky sektor të rimëkëmbet shpejt, në mënyrë që familjet e bizneset shqiptare të cilat të ardhurat i kanë nga turizmi, të përfitojnë sa më shumë gjatë këtij sezoni”.

“Me rifillimin e fluturimeve dhe hapjen e kufijve tokësorë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët, duhet të mbështesim turizmin vendas dhe familjet shqiptare që mbahen gjatë vitit nga sezoni turistik”, – nënvizoi Meta.

Për këtë, shtoi Presidenti, është e rëndësishme të caktohen protokolle të veçanta të sigurisë shëndetësore të përshtatura për vendqëndrimet, mjetet e transportit, hotelet, bregdetin, dhe zonat e tjera që vizitohen dhe ku pushojnë turistët.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.