Monitorohet popullata e kalit të qyqes, gjendet në 8 territore në Shqipëri

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Në Shqipëri ka përfunduar me sukses faza e parë e monitorimit për këtë sezon për popullatën e kalit të qyqes (Neophron percnopterus).

Shoqata e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri(PPNEA) bën të ditur se “rezultatet e monitorimit për konfirmimin e territoreve tregojnë se popullata e kalit të qyqes në Shqipëri gjendet në 8 territore të okupuara, e shtrirë në zonën e Mallakastrës, Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit. Popullata për këtë vit përbëhet nga 5 çifte dhe 3 individë të vetmuar”.

“Nisur nga këto rezultate paraprake mund të themi se popullata e kalit të qyqes vlerësohet të jetë në rënie si pasojë e humbjes së një territori aktiv (pra mbi 10 %), në krahasim me vitin 2019. Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se popullata e kësaj specieje vazhdon të jetë kritike”, – thekson PPNEA.

Sipas saj, dikur shumë i zakonshëm, sot, kali i qyqes gjendet vetëm në disa territore të kufizuara, në jug të vendit.

“Numri i kufizuar i individëve të Kalit të Qyqes në Shqipëri tregon gjendjen kritike të kësaj popullate dhe njëherazi thekson domosdoshmërinë e marrjes së veprimeve konkrete në mbrojtjen e shkabës së fundit folezuese në vendin tonë. Këto veprime kërkohet të përqendrohen kryesisht në: parandalimin e përdorimit të karremave helmues, izolimin e shtyllave për të parandaluar elektroshokun, mbrojtjen dhe konservimin e habitatit dhe parandalimin e shqetësimit dhe persekutimit të species”, – shprehet PPNEA.

Ky monitorim paraprak i popullatës së kalit të qyqes në Shqipëri për 2020 u mundësua falë punës së AOS, PPNEA, Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër dhe grupeve lokale të konservimit, në kuadër të projektit “Egyptian Vulture New Life / Jetë e Re për kalin e qyqes”.

Krahas aktiviteteve të tjera konservuese, ekipi do të vazhdojë përgjatë gjithë sezonit folezues me vrojtime rutinë në terren.

Ndërkaq, do të realizohen dhe dy ekspedita të tjera të dedikuara për monitorimin e popullatës së kalit të qyqes, përkatësisht në muajin qershor dhe gusht, duke saktësuar më tej numrin e individëve të popullatës së këtij lloji, po ashtu duke synuar ndjekjen e gjithë proçesit të inkubimit dhe rritjes së të vegjëlve, si dhe përllogaritjen e produktivitetit (të vegjël të aftë të fluturojnë) për fole.

“Deri atëherë, le të shpresojmë për një sezon sa më të mbarë të folezimit të kalit të qyqes në Shqipëri”, – tha PPNEA.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.