COVID-19 – Federata Amerikane e Gjimnastikës anulon garat për vitin 2020

UASHINGTON, 12 maj /ATSH-AFP/-Federata Amerikane e Gjimnastikës njoftoi sot se ka anuluar kampionatin e saj kombëtar dhe ngjarje të tjera madhore në kalendarin e saj të vitit 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Kampionati amerikan i Gjimnastikës Artistike, i planifikuar fillimisht për 4-7 qershor në Fort Worth, Texas do të zhvillohet në të njëjtin qytet më 3-6 qershor 2021.

“Duke u nisur nga këshillat e fundit të ekspertëve të shëndetit dhe pasi morëm mendime nga sportistët dhe trajnerët tanë, ne besojmë se është në interes të komunitetit tonë të presim deri në vitin 2021 për të organizuar ngjarje kryesore”, tha Li Li Leung, drejtore e përgjithshme e Federatës së Gjimnastikës.

Federata Amerikane tha se është ende duke punuar me programimin e ngjarjeve përgatitore për Lojërat e Tokios të shtyra në verën e vitit 2021, përfshirë përzgjedhjet thelbësore të kualifikimit, si edhe kampionatin kombëtar të gjimnastikës ritmike, akrobatike dhe të trampolinës./ /ervo/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.