22 milionë euro të alokuara nga garancia sovrane, instrumenti i dytë në ndihmë të biznesit prodhues, turizmit dhe fasoneritë

TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “paketa e zgjeruar ka ecur mirë. Sot kam pasur informacionin më të freskët lidhur me instrumentin e parë të garancisë dhe jemi në situatën kur tanimë 22 milionë euro janë alokuar për bizneset nga garancia sovrane, ka shumë aplikime që vazhdojnë të shqyrtohen nga bankat dhe jemi të bindur që i gjithë  instrumenti do të shfrytëzohet nga biznesi gjë që është një shenjë shumë e mirë dhe jemi të përgatitur për ta shtuar shumën në funksion të analizës që do të bëjmë dhe nevojave që do të konstatojmë”.

Në konferencën e drejtpërdrejtë për shtyp me gazetarët, Kryeministri Rama theksoi se “instrumenti i dytë sapo është vënë në lëvizje do të ndihmojë në mënyrë të posaçme të gjithë biznesin prodhues, turizmin, fasoneritë dhe besojmë shumë që edhe ky instrument do të jetë një sukses, siç po duket qartë se do të jetë edhe instrumenti i parë”.

“Ne jemi të vetëdijshëm që duhet një shtysë e fortë për ekonominë dhe për këtë arsye po punojmë ditë-natë për një plan të përgjithshëm të rimëkëmbjes që natyrisht bazën e ka në atë që ishte plani bashkë me rindërtimin, sepse tanimë kërkon një rishikim të plotë, sepse kushtet kanë ndryshuar në mënyrë dramatike si rezultat i COVID-19”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri tha se “shumë shpejt ne do të kemi masterplanin e rimëkëmbjes. Jemi të bindur se do ta kalojmë me shumë sukses dhe shumë më shpejt sa ç’mund të parashikohet e parë në distancë të gjithë situatën e krijuar nga COVID-19”.

“Jam i bindur që në 2021 do shikojmë rezultatet konkrete në këtë drejtim dhe kemi besim që brenda disa muajsh do të rikuperojmë pjesën dërrmuese të të gjithë humbjeve që kemi pasur në punësim”, tha Rama.

/k.s/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.