Kredia e parë sovrane/ Shteti merr përsipër të paguajë normën e interesit të biznesit

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Qeveria merr përsipër të paguajë normën e interesit të kredisë së biznesit që përfiton nga garancia sovrane e parë, që qeveria e ka vendosur në dispozicion të bankave të nivelit të dytë me vlerë 11 miliardë lekë, në mënyrë që ato të japin kredi bizneseve të prekura nga masat kundër COVID-19, për pagat e punonjësve të tyre.

Në vendimin e qeverisë të publikuar sot në Fletoren Zyrtare, thuhet se “Ministria e Financave dhe Ekonomisë do t’i rimbursojë huadhënësit interesat që burojnë nga huatë e garantuara nga kjo marrëveshje garancie një herë në tre muaj, ku tremujori i parë do të fillojë të përllogaritet nga data e bërjes efektive të kësaj marrëveshje”.

Qeveria kishte dalë garant për kredinë, dhe merrte përsipër të paguante principalin e tre muajve të parë për çdo biznes, ndërkohë që tani merr përsipër edhe pagesën e interesin, duke bërë që kredimarrësi të paguajë kredinë me interes zero.

Tashmë banka çdo tre muaj do të dorëzojë pranë MFE, kërkesë për rimbursim, dhe brenda 15 ditësh Ministria do të transferojë pagesën.

Huadhënësi çdo 90 ditë nga data e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje do të dërgojë pranë MFE kërkesën për rimbursimin e interesave (“Kërkesa për rimbursim”) në formë elektronike dhe të shkruar. Kërkesa për rimbursim duhet të përmbajë informacion të detajuar në lidhje me interesat e gjeneruara dhe mënyrën e përllogaritjes së tyre, për secilën Hua që Huadhënësi ka lëvruar në përputhje me këtë Marrëveshje”, thuhet në vendim.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ka bërë të ditur vendimin i cili është publikuar edhe në Fletoren Zyrtare ku shprehet se, “në mbështetje të qytetarëve dhe bizneseve, formalizuam premtimin për subvencionimin e interesave të huave, pjesë e Garancisë Sovrane 1”.

Ky vendim thekson Denaj, do të reduktojë barrën e tregtarëve dhe shoqërive tregtare që përfitojnë nga kjo marrëveshje garancie, do zbusë efektet financiare për sipërmarrësit në reagimin ndaj COVID-19, si dhe do lehtësojë sigurimin e fondeve për vijimësinë e pagesës së punonjësve në sektorin privat.

“Me rreth 400 aplikime të sektorit privat në proces, për një shumë përmbledhëse mbi 45% të Garancisë, kanë filluar të disbursohen shumat e para nga kjo kredi të përfitim të punëdhënësve dhe punëmarrësve”, tha Denaj.

“Gjej rastin, të ftoj përsëri bizneset e interesuara të përdorin mundësinë e Garancisë Sovrane, duke përfituar nga ky rimbursim i interesit nga koha prej 3 muajsh për të drejtën e mospagimit të principalit të kredisë”, u shpreh Denaj.

Referuar këtij vendimi, bankat nuk do të aplikojnë tarifa, komisione, penalitete, kamatëvonesa apo çfarëdolloj mase tjetër që mund të krijojë kosto për Huamarrësin dhe MFE, përpos atyre të përcaktuara shprehimisht në këtë marrëveshje. e.xh//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.