FOTO/ Parku detar kombëtar Sazan-Karaburun, perla e Shqipërisë turistike

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Karaburun-Sazani, i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, që ndodhet në qarkun e Vlorës, ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike.

Me një shtrirje detare rreth 1,9 km gjatë viteve të fundit ky park është kthyer në një destinacion turistik, ku vizitorë të shumtë vendas e të huaj udhëtojnë me anijet turistike që nisen nga porti i Vlorës.

Në muajt e verës anijet turistike operojnë me një grafik më të ngjeshur, duke udhëtuar pothuajse përditë.

Kjo ofron mundësi reale për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

Në gjirin e vogël detar të Shën Vasilit, që ndodhet në pjesën e brendshme të gadishullit të Karaburunit, në faqen veriore të tij, natyra është treguar e pakursyer. Plazhi i virgjër dhe gjelbërimi kryesisht i ulët, përfaqësojnë një raport vlerash natyrore të pakrahasueshme.

Biodiversiteti, peizazhi dhe kultura e kësaj zone janë unikale për Mesdheun dhe për këtë arsye Parku prej vitit 2015 është pjesë e Zonave Veçanërisht të Mbrojtura në Mesdhe (SPAMI), sipas Konventës së Barcelonës.

Në të jetojnë të paktën 36 lloje detare, të cilat janë me rëndësi ndërkombëtare dhe që i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Në shkallë kombëtare, rreth 75% e llojeve të rrezikuara të kafshëve detare, janë regjistruar në zonë.

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.

/k.s/ /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.