“Brenda afateve kohore dhe në përputhje me përparësitë”/ Prezantohen për donatorët, hapat e Rindërtimit

TIRANË, 11 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj zhvilluan sot një videokonferencë me donatorët e huaj për Rindërtimin.

Në fillim të kësaj videokonference, Rama theksoi konceptin e të punuarit së bashku brenda afateve kohore të përcaktuara dhe në përputhje me përparësitë e vendosura nga qeveria kryesisht, atë që lidhet me strehimin, shkollat dhe infrastrukturën publike”.

“Duhet që ju ta çoni më tej këtë qasje të orientuar nga përparësitë dhe të sigurohemi së bashku që të jetë sa më e mirëharmonizuar me nevojat tona për financim”, tha Rama.

Kryeministri theksoi rëndësinë e të punuarit së bashku. “Na duhet të strukturojmë komunikimin tonë përmes kësaj taskforce dhe nëpërmjet Sekretariatit Teknik për t’u siguruar që të gjitha përpjekjet e mira tuajat të kanalizohen në drejtimin e duhur. Drejtimi i duhur nënkupton në një mënyrë kohezive me vizionin dhe programin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “kjo është thelbësore, pasi shpeshherë të tilla përpjekje dështojnë për shkak të mungesës së bashkërendimit dhe jo të mungesës së vullnetit të mirë”.

“Nuk duhet të dyshojmë në vullnetin e mirë, por nuk është mjaftueshëm. Duhet t’i bëjmë bashkë fuqitë e vullneteve tona dhe të bëjmë një punë shumë të mirë që është rezultat i unitetit mes nesh. Ndaj është e rëndësishme për ne, jo thjesht për të komunikuar me secilin prej jush siç kemi bërë dhe do bëjmë, për t’u siguruar se secila pjesë e punës të funksionojë, por edhe për t’ju bërë me dije pjesën tjetër të punës. Secili prej jush që është pjesë e këtij programi duhet të ketë të qartë se cilat janë hapat që duhet të ndërmarrim dhe çfarë janë këto hapa. Kjo është shumë e rëndësishme që të plotësojmë gjithë panoramën, dhe jo të kemi vetëm një pjesë të mozaikut”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.